Shqipëria vijon të përballet me vatra zjarri në disa zona të vendit, ndërsa situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 4 vijojnë të jenë aktive dhe 4 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Të lidhura
None found
Flakët aktive janë raportuar në Dajt të Tiranës, Vajkal të Bulqizës, Lundre të Matit dhe në Urën e Shtrenjtë në Shkodër.
Në terren janë angazhuar 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në asnjë prej vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në Bulqizë, Mat dhe Tiranë.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Ministria e Mbrojtjes – informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit
Përmbledhje e situatës – 01.09.2026, ora 09:00
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në bashkitë Bulqizë, Mat dhe Tiranë.
Vatrat aktive janë:
Dajt, Tiranë – vijojnë vatra aktive në drejtim të Qafë-Priskës. Ditën e djeshme u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Vajkal, Bulqizë – zjarr aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. U angazhuan 11 forca MZSH, 5 pyjore, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë
Lundre, Mat – vijon zjarri në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore; u angazhuan 40 forca MZSH/pyjore, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter.
Ura e Shtrenjtë, Shkodër – vatër aktive në terren të thepisur; po punohet për izolimin dhe parandalimin e përhapjes.
Nën mbikëqyrje vijojnë vatrat në Qafën e Helmës (Bulqizë), Qafën e Lugut (Korçë), malin e Qukësit (Prrenjas) dhe Zhejë (Kurbin). Në të gjitha rastet e mësipërme nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
