Një aksident i rëndë rrugor, i ndodhur dje në autostradën bregdetare pranë Unecit në Slloveni, u mori jetën tre shtetasve të Maqedonisë së Veriut, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të lënduar.
Të lidhura
None found
Informacionet paraprake tregojnë se një kamion ishte ndalur në zonën e përcaktuar për ndalim për shkak të një defekti. Në rrethana që ende nuk janë sqaruar, drejtuesi i automjetit u përplas me pjesën e pasme të majtë të rimorkios.
Brenda automjetit udhëtonin pesë persona dhe të gjithë ishin shtetas të Maqedonisë.
Vdekja e tre prej tyre u konfirmua në vendin e ngjarjes nga mjeku.
Njëri prej të plagosurve, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, u dërgua me helikopter në spital. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit u transportua drejt spitalit me autoambulancë.
Deri tani, autoritetet sllovene nuk kanë bërë të ditur identitetin dhe moshën e personave të përfshirë, si dhe gjendjen shëndetësore të të mbijetuarve.
Në vendngjarje ndërhynë disa patrulla policore, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore./Telegrafi/
