Një anije indiane u fundos në afërsi të ujërave të Jemenit pasi u godit nga një raketë. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Transportit Detar të Indisë nëpërmjet një postimi në platformën X.
Të lidhura
None found
Autoritetet indiane njoftuan se Roja Bregdetare e Jemenit shpëtoi të 14 marinarët që gjendeshin në bord dhe i transportoi ata drejt portit të Mocha-s. Mes pjesëtarëve të ekuipazhit, 13 janë shtetas të Indisë.
Qeveria indiane e dënoi sulmin, duke theksuar se objektiv i goditjes ishte një mjet lundrues i pambrojtur.
Ministri indian i Transportit Detar, Sarbananda Sonowal, tha se mbrojtja e qytetarëve indianë vijon të jetë përparësi, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë hapa për të garantuar sigurinë e marinarëve në atë zonë.
“India e dënon me forcë këtë sulm të paprovokuar kundër anijes me vela, e cila ishte e pambrojtur. Me kënaqësi konfirmoj se Roja Bregdetare e Jemenit i ka shpëtuar shëndoshë e mirë të 14 marinarët dhe i ka dërguar në portin e Mocha-s”, deklaroi Sonowal.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se Drejtoria e Përgjithshme e Administratës Detare ka marrë udhëzim të bashkëpunojë me agjencitë përgjegjëse, me qëllim ofrimin e ndihmës së nevojshme për ekuipazhin e shpëtuar.
