Tirana ka siguruar shërbimet e sulmuesit kosovar Drilon Hazrollaj, i cili vjen nga Rapid Bukureshti në formë huazimi deri në fund të sezonit.
Të lidhura
None found
Eksperienca rumune nuk rezultoi ashtu siç pritej për lojtarin 22-vjeçar, i cili u përball me dëmtime të vazhdueshme. Tani ai synon të shkëlqejë sërish me fanellën e kampionëve shqiptarë, duke rizbuluar formën bindëse që shfaqi dikur te Malisheva.
Negociatat mes palëve kanë përfunduar me sukses dhe bardheblutë kanë arritur të përfshijnë në marrëveshje edhe një klauzolë që u lejon ta blejnë kartonin e futbollistit në mënyrë të përhershme pas përfundimit të huazimit.
“KF Tirana ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me Drilon Hazrollaj, i cili i bashkohet klubit në formë huazimi nga FC Rapid 1923, me të drejtë blerjeje përfundimtare të kartonit të lojtarit”, bëri të ditur klubi bardheblu përmes një njoftimi për shtyp.
Talenti ofensiv kosovar, i dalë nga radhët e Malishevës përpara se të transferohej te Rapid Bukureshti, i shton trajnerit një opsion më shumë në repartin e avancuar për sfidat e ardhshme. Në komunikatën zyrtare specifikohet se të dy klubet kanë rënë dakord për kushtet që do t’i mundësonin Tiranës finalizimin e transferimit në përfundim të periudhës së huazimit.
