Ismael Bennacer ka zgjidhur zyrtarisht lidhjen kontraktuale me Milanin, duke i hapur dyert një eksperience të re në futbollin e Katarit, te skuadra Al-Gharafa.
Mesfushori me origjinë algjeriane iu bashkua skuadrës kuqezi në vitin 2019 dhe që atëherë numëron 178 ndeshje zyrtare me fanellën e “Rossonerëve”.
Të lidhura
None found
Megjithatë, ai nuk ka veshur më fanellën e Milanit që nga fillimi i sezonit 2024/25, pasi pjesën më të fundit të karrierës e kaloi i huazuar fillimisht te Marseille në Francë dhe më pas te Dinamo Zagreb.
Bennacer luajti një rol kyç në mesfushën e Milanit, veçanërisht gjatë sezonit triumfues 2021/22, kur kontribuoi me 31 paraqitje në Serie A dhe skuadra fitoi titullin kampion pas një pritjeje 11-vjeçare.
Sidoqoftë, rikthimi i tij në formacionin bazë u ndërlikua seriozisht nga një dëmtim i rëndë në gju, i pësuar në fund të edicionit 2022/23.
Sipas raportimeve të gazetarit të mirënjohur italian Gianluca Di Marzio, Bennacer ka firmosur tashmë ndërprerjen e parakohshme të kontratës me “Djallin” dhe pritet të vijojë aventurën e tij futbollistike te Al-Gharafa, në kampionatin elitar të Katarit.
Marrëveshja e mëparshme mes lojtarit dhe klubit italian parashikohej të zgjaste deri në përfundim të sezonit 2026/27, por të dyja palët ranë dakord për t’i dhënë fund bashkëpunimit përpara afatit.
