Një valë zjarresh shkatërruese ka përfshirë Francën jugperëndimore dhe zonën afër Madridit në Spanjë, duke detyruar dhjetëra mijëra banorë dhe pushues të largohen me urgjencë. Kushtet e rënda atmosferike, që përfshijnë valën e të nxehtit, mungesën e reshjeve dhe erërat e fuqishme, po e bëjnë pothuajse të pamundur frenimin e përhapjes së flakëve.
Të lidhura
None found
Në anën franceze, i gjithë gadishulli Cap Ferret në bregdetin jugperëndimor është zbrazur me urdhër të autoriteteve. Rreth 40 mijë persona janë larguar ose ndodhen në fazë evakuimi. Një pjesë e konsiderueshme e tyre u transportuan me mjete lundruese drejt Arcachonit, teksa të tjerët përdorën rrugët tokësore për t’u shpëtuar rrezikut.
Zyrtarët vendorë e kanë cilësuar këtë si një “zjarr XXL”, i cili ka përshkruar rreth 10 mijë hektarë terren që prej së martës. Pasojat janë të rënda: 53 banesa dhe një kamp pushimi janë shkrumbuar, ndonëse ndërhyrja e zjarrfikësve ka arritur të shpëtojë rreth 2 mijë ndërtesa të tjera banimi.
Ndërkohë, Spanja është përballur me një emergjencë kombëtare pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria. Flakët pranë kryeqytetit kanë marrë përmasa të pakontrollueshme, duke çuar në evakuimin e mbi 19 mijë qytetarëve. Fokuset më problematike janë regjistruar në Villa del Prado dhe San Martín de Valdeiglesias, në perëndim të Madridit.
Isabel Díaz Ayuso, presidentja e rajonit të Madridit, e ka përshkruar ngjarjen si “zjarrin më të keq në historinë e rajonit”. Ajo theksoi se ndërthurja e temperaturave ekstreme, erërave të furishme dhe bashkimi i disa fronteve të zjarrit ka krijuar një skenar të paprecedentë, duke shtuar se mbrojtja e jetëve njerëzore është përparësia absolute.
Edhe kryeministri Pedro Sánchez e vlerësoi gjendjen si dramatike, duke u kërkuar qytetarëve të tregojnë vigjilencë maksimale.
Nga Franca, Marc Vermeulen, shefi i shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit, dha shifra alarmante për shpejtësinë e përhapjes. Sipas tij, flakët përparuan gjatë natës me ritme të jashtëzakonshme, duke djegur midis 800 dhe 1.000 hektarë në orë. Ai paralajmëroi se kushtet aktuale janë shumë më të ashpra se ato të zjarreve të mëdha të vitit 2022, për shkak se rajoni po vuan nga një thatësirë jashtëzakonisht e theksuar.
