Seanca e së hënës në Kuvend u ndërpre pa përfunduar rendin e ditës, pasi u miratua kërkesa e Taulant Ballës, kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për të shtyrë raportimet e institucioneve kushtetuese në mbledhjen e radhës, më 23 korrik.
Tensionet nisën kur deputetët e opozitës zunë foltoren dhe e bllokuan atë, duke mos lejuar paraqitjen e Avokatit të Popullit, Endri Shabani. Kjo situatë bëri që seanca të ndërpritet dy herë dhe të çojë në propozimin për shtyrje të diskutimeve.
Të lidhura
None found
Balla kërkoi që projekt-rezolutat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Avokatin e Popullit të transferoheshin për shqyrtim në seancën e ardhshme.
“Të pesë institucionet e parashikuara për sot të kalojnë për në seancën pasardhëse. Synimi ishte një seancë e dedikuar raportimeve, por kjo nuk u realizua. Kërkoj që ky propozim të votohet,” tha Balla gjatë seancës.
Nga ana tjetër, Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e hodhi poshtë këtë zgjidhje. Ai propozoi që të përjashtohej vetëm raportimi i Avokatit të Popullit dhe Kuvendi të vazhdonte normalisht me institucionet e tjera.
“Nuk e shoh arsyen pas këtij propozimi. Nëse ramë dakord të ndryshojmë rendin, le ta vazhdojmë seancën tani. Ne kundërshtojmë vetëm praninë e Endri Shabanit, sepse çështja e zgjedhjes së tij ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Po e prishni këtë seancë dhe të radhës duke e provokuar opozitën,” argumentoi Bardhi.
Pas votimit elektronik, propozimi i Ballës u pranua me 76 vota për dhe 25 kundër, duke caktuar se të gjitha raportimet dhe projekt-rezolutat do të shqyrtohen në seancën plenare të 23 korrikut. Më pas, punimet e ditës u deklaruan të mbyllura.
