Në protestën e 48-të të zhvilluar përpara Kryeministrisë, familja e të ndjerit Martin Cani i përcolli një mesazh kryeministrit Edi Rama, duke kundërshtuar përdorimin, sipas saj, të emrit të djalit për propagandë politike dhe shmangien e përgjegjësisë së institucioneve.
Përmes deklaratës së lexuar gjatë tubimit, familja Cani tha se tabloja reale ndryshon tërësisht nga ajo që paraqet qeveria. Sipas saj, fëmijët vijojnë të vriten, tragjeditë nuk janë ndalur dhe institucionet vazhdojnë të dështojnë.
Të lidhura
None found
Familja theksoi se mbyllja e TikTok-ut nuk i ka ndalur vrasjet e të miturve. Në mesazh thuhej se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjes së të rinjve, ndërsa problemet lidhen me mungesën e arsimit, përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Duke iu referuar masave për rritjen e sigurisë në shkolla, familja deklaroi se instalimi i kamerave nuk e zgjidh problemin. Ajo kujtoi se kryeministri ka folur për “smart city” në shkolla dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se algoritmi bën atë që përcakton masa.
“Kamerat nuk e shpëtuan Martinin dhe nuk do të shpëtojnë fëmijët e tjerë”, ishte qëndrimi i familjes, e cila pyeti Ramën se përse nuk ka kërkuar falje për dështimin e sistemit që drejton dhe përse nuk i ka takuar familjarët. Sipas tyre, deri tani kanë parë vetëm shfrytëzimin e tragjedisë së tyre.
Në deklaratë u ngrit edhe çështja e një pajisjeje për zemrën e dëmtuar, e cila mungon në Spitalin e Traumës. Familja kërkoi të dinte përse kjo pajisje nuk është blerë ende, megjithëse, sipas saj, kushton më pak se një makinë qeveritare, duke theksuar se jetët nuk shpëtohen nga kamerat.
Kritika pati edhe për reagimin e kryeministrit në Kuvend. Familja pyeti përse Rama nuk reagoi dhe nuk ndërhyri kur ministrja Ogerta Manastirliu apo Belinda Balluku qeshën, duke vënë në pikëpyetje nëse ky ishte respekti i treguar ndaj tragjedisë.
Në fund, familja Cani akuzoi Policinë se nuk e kreu detyrën, pasi arma e krimit u gjet nga një qytetar. Në deklaratë u tha se hetimi nuk do të ishte “i thumbuar” dhe se kjo përbën dëshmi të dështimit të strukturave të rendit.
