LSDM-ja opozitare deklaroi sot përmes një komunikate se heqja dorë e Prokurorisë nga aktakuza ndaj Dragan Pavlloviq Llatasit dhe lirimi i tij përbëjnë, sipas saj, një provë të re të ndërhyrjes politike në drejtësi.
Të lidhura
None found
Sipas kësaj partie, pas vendimit lirues për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, edhe rasti i Llatasit dëshmon se kryeministri Hristijan Mickoski “drejtpërdrejt menaxhon Prokurorinë dhe sistemin gjyqësor”.
“Kur bëhet fjalë për dikë të afërt me OBRM-PDUKM‑në ose vetë Mickoskin, aktakuzat zhduken. Kur bëhet fjalë për kundërshtarë politikë ose kritikë të pushtetit, Prokuroria është jashtëzakonisht e zellshme dhe efikase”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Partia thekson se një situatë e tillë krijon vështirësi të mëdha për procesin e integrimit evropian të vendit, pasi Bashkimi Evropian kërkon institucione gjyqësore dhe prokurori të pavarura.
Në reagim, LSDM-ja shton se Prokuroria, në vend që të funksionojë si organ i pavarur në luftën kundër krimit, sipas saj vepron mbi bazën e udhëzimeve politike dhe u ofron mbrojtje njerëzve pranë pushtetit.
