Mario Roggero, argjendari italian që u bë figurë polemikash pasi vrau dy persona që kishin grabitur dyqanin e tij, është futur në burg për të shlyer dënimin prej 14 vitesh e 9 muajsh për vrasje dhe tentativë vrasjeje.
Të lidhura
None found
Episodi ndodhi në vitin 2021 në Grinzane Cavour, qytet në rajonin italian të Piemonte. Tre grabitës hynë në argjendarinë e Roggeros dhe morën sende me vlerë.
Regjistrimet e kamerave të sigurisë, të publikuara shpesh nga mediat italiane, paraqesin grabitësit teksa dalin nga lokali. Më pas, Roggero del pas tyre me një pistoletë që e mbante poshtë banakut.
Nga pamjet rezulton se argjendari qëlloi katër herë në drejtim të makinës me të cilën po largoheshin autorët e grabitjes. Dy prej tyre vdiqën, ndërsa i treti u plagos në këmbë dhe më vonë u arrestua nga autoritetet, shkruan The Times.
Gjykata Supreme italiane e rrëzoi ankimimin e tij dhe la në fuqi vendimin e mëparshëm. Sipas vlerësimit të gjyqtarëve, grabitësit nuk paraqisnin më rrezik të menjëhershëm kur Roggero hapi zjarr, pasi ata po largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Gjatë gjykimit, prokuroria theksoi se Roggero nuk mund të vepronte njëkohësisht si polic dhe gjykatës. “Nuk mund të jesh polic, gjykatës dhe ekzekutues. Asnjë ligj, as ligjor dhe as moral, nuk e lejon këtë”, mësohet të jetë shprehur prokurori.
Megjithatë, çështja ka krijuar ndasi në opinionin publik italian. Një pjesë e madhe e spektrit të djathtë e sheh Roggeron si përfaqësues të vetëmbrojtjes dhe të luftës kundër kriminalitetit.
Ai është mbështetur nga emra të njohur të politikës, mes tyre zëvendëskryeministri Matteo Salvini, i cili i ka kërkuar presidentit italian faljen e dënimit. Salvini e ka përshkruar Roggeron si “një njeri të ndershëm”, duke deklaruar se një 72-vjeçar nuk duhet të qëndrojë në qeli së bashku me kriminelë të tjerë.
Në mbrojtje të argjendarit ka dalë edhe Roberto Vannacci, politikan i së djathtës së fortë. Gjatë një tubimi, ai mbajti një bluzë ku shkruhej “Ne jemi të gjithë Roggero”.
Vendimet e gjykatave u mbështetën edhe në pamjet që treguan çfarë ndodhi përpara të shtënave. Grabitësit kishin lidhur me lidhëse plastike bashkëshorten dhe vajzën e Roggeros, të cilat punonin në argjendari, si dhe e kishin kërcënuar atë me një armë false për të marrë bizhuteritë.
Pasi grabitësit dolën nga argjendaria, Roggero i ndoqi dhe hapi zjarr ndaj automjetit të tyre. Njëri prej tyre ra përtokë dhe vdiq, ndërsa regjistrimet treguan se argjendari e goditi atë edhe pasi kishte mbetur i plagosur rëndë.
Gjatë gjithë procesit, Roggero ka këmbëngulur se kishte vepruar për të mbrojtur familjen. “Doja të shpëtoja gruan time dhe të eliminoja rrezikun që ata të ktheheshin për të na vrarë, pasi na kishin parë në fytyrë”, është shprehur ai në gjykatë.
Para se të paraqitej në burg, argjendari u dërgoi një mesazh mbështetësve të tij, të cilët i falënderoi për solidaritetin. Nga ana tjetër, familjet e viktimave kërkojnë ekzekutimin e vendimit të drejtësisë dhe dëmshpërblimin financiar, pasi Roggero është detyruar të paguajë rreth 780 mijë euro dëmshpërblim.
