Fiorentina pa “busull”, Cesare Prandelli jep dorëheqjen

Fiorentina është në kaos. Humbja ndaj Milanit ka shkaktuar tërmet tek vjollcët. Trajneri Cesare Prandelli, i ardhur në drejtimin e skuadrës  më 9 nëntor, ka vendosur të dorëzojë çelësat e stolit. Në  këtë rikthim të tij tek Fiore, 63-vjecari e drejtoi ekipin në 23 ndeshje, duke fituar vetëm 6 takime,  përfshi këtu edhe  Kupën e Italisë, teksa regjistroi edhe 6 barazime e plot 11 humbje. 3 humbjet në 5 ndeshjet e fundit dhe pozicioni i 14-të në renditje kanë bërë që zhgënjimi të jetë i madh, me trajnerin që ka vendosur të largohet. Prandelli kishte një kontratë deri në fund të këtij sezoni, teksa ka hequr dorë nga pjesa e mbetur e pagesës së tij prej 4 milion eurosh.

Drejtuesit nuk kanë vonuar për të gjetur zëvendësuesin e Prandellit, duke riemëruar pikërisht atë që u shkarkua në nëntor nga stoli i ekipit toskan, Giuseppe Iachinin. Tekniku 56-vjeçar firmosi rinovimin e kontratës me Fiorentinën  në verën e vitit 2020-të dhe edhe pse u shkarkua në nëntor vijonte të përfitonte pagën e tij nga klubi vjollcë, tashmë nuk do të paguhet, duke qëndruar në shtëpi, por do të jetë sërish nën drejtimin teknik të skuadrës. Iachini qëndroi në krye të stolit të skuadrës toskane  për 30 ndeshje, duke fituar 12 prej tyre, tanimë ai që e nisi këtë sezon si trajner i Fiores do të duhet ta largojë këtë skuadër nga zona e rrezikshme, Fiorentina që është  7 pikë nga vendi i 18-të, që të dërgon në Serinë B edicionin tjetër.


Shtuar 23.03.2021 14:16