Reagime të shumta kanë pasuar deklaratat e profesorit Blerim Latifi lidhur me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Në një postim të tij, Latifi i ka kritikuar shqiptarët e kësaj zone, duke pretenduar se ata nuk po organizojnë protesta ndaj diskriminimit dhe spastrimit të heshtur etnik që Serbia, sipas tij, po e zbaton përmes pasivizimit të adresave, ndërkohë që përfshihen në protesta kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Të lidhura
None found
“Shqiptari i Luginës së Preshevës rri gatitu para xhandarit serb. Nuk arrin të organizojë as një miniprotestë kundër spastrimit të heshtur etnik që Serbia po e zbaton përmes pasivizimit të adresave dhe masave të tjera diskriminuese, të cilat e kanë goditur rëndë të drejtat politike e qytetare të shqiptarëve atje”, ka thënë Latifi.
Pas këtyre qëndrimeve, veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, ka reaguar ashpër në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke i cilësuar fjalët e profesorit Blerim Latifi si fyese, të pavërteta dhe nxitëse të përçarjes.
Sipas Hasanit, Lugina e Preshevës e ka dëshmuar në vazhdimësi organizimin politik dhe rezistencën për të drejtat e saj. Ai ka përmendur Referendumin e 1-2 Marsit 1992, kryengritjen e armatosur të UÇPMB-së, si dhe Marrëveshjen e Konçulit, e arritur me përfshirjen e faktorit ndërkombëtar.
“Mos instaloni përçarje dhe mos mashtroni opinionin e gjerë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë organizuar Referendumin e 1-2 Marsit 1992, kanë zhvilluar kryengritjen e UÇPMB-së dhe kanë arritur Marrëveshjen e Konçulit nën monitorimin e instancave më të larta ndërkombëtare”, ka deklaruar Hasani për “Bota sot”.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se statusi politik dhe juridik i Luginës së Preshevës ende nuk është zgjidhur, ndërsa shqiptarët e kësaj krahine vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje të drejtë dhe afatgjatë me garanci ndërkombëtare.
Hasani ka hedhur poshtë edhe pohimin e Latifit se shqiptarët e Luginës “nuk arrijnë të organizojnë as një miniprotestë kundër”, duke rikujtuar protestat e mbajtura gjatë vitit 2024 në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve.
“Tri protesta janë mbajtur gjatë vitit 2024, në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, si demonstrime dhe marshime paqësore me mbështetje gjithëpopullore për të kërkuar ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve të Luginës”, është shprehur ai.
Duke komentuar edhe deklaratën e Latifit se “ndërgjegjja njerëzore sikletoset nga paradokse të tilla shqiptarësh”, Hasani ka vlerësuar se formulime të tilla dëshmojnë mungesë njohjeje për realitetin me të cilin përballen shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në përmbyllje, Hasani ka kërkuar që Blerim Latifi të dalë me një kërkimfalje publike.
“Përmes këtij reagimi publik kërkohet nga Blerim Latifi të kërkojë falje publike, sepse ka fyer dhe ofenduar rëndë me etiketime të pabazuara. Këto deklarata paraqesin ngritjen e përçarjeve dhe thellimin e ndasive mes krahinave shqiptare. Po ashtu, është më se e domosdoshme që të gjitha mediat dhe intelektualët shqiptarë, kudo që veprojnë në botë, të reagojnë ndaj këtyre fjalëve fyese”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.
