Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Postat e Maqedonisë” ka vendosur që automjetet e reja të pajisen me kamera, me synimin që të kontrollohet i gjithë procesi i shpërndarjes së pakove. Sipas njoftimit, kjo masë synon të tejkalojë problemet e shfaqura gjatë dorëzimeve, ndonëse nuk u dhanë hollësi për llojin e anomalive.
Gjatë dorëzimit të tre automjeteve në Veles, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i “Postave të Maqedonisë”, Nikollço Ugrinov, deklaroi se në hapësirën e ngarkesës së automjeteve do të vendosen kamera si një risi e re. Ai theksoi se përmes tyre do të ndiqet pakoja që nga pranimi në postë, gjatë transportit dhe deri në dorëzimin te përdoruesi i shërbimit, duke shtuar se kjo pritet të shmangë disa anomali të ndodhura në procesin e dorëzimit.
Të lidhura
None found
Automjetet e sapopërfshira në flotë janë “Fiat Dablo”, model i vitit 2026, dhe vijnë të pajisura me teknologjitë më moderne. Ato kanë kondicioner, navigim, sensorë, kamera të pasme dhe mbajnë ngarkesë deri në 750 kilogramë.
Posta e Velesit ofron shërbim në tri komuna — Veles, Çashkë dhe Gradsko — duke mbuluar gjithsej 70,000 banorë përmes 11 degëve postare.
Në përgjithësi, Posta e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka pranuar 100 automjete të reja, investim që synon rritjen e efikasitetit në shërbimet postare. Prej tyre, 90 janë automjete të vogla komerciale, të njohura gjerësisht si kamionçina, ndërsa 10 të tjera janë automjete të mëdha komerciale, përkatësisht furgonë.
