Sipas të dhënave të publikuara nga Lidhja e Sindikatave, një familjeje katëranëtarëshe i duhen së paku 68.654 denarë për të përballuar nevojat bazë mujore gjatë qershorit.
Në rast se kjo familje nuk ka banesë në pronësi dhe jeton me qira në një apartament prej 60 metrash katrorë, shpenzimet totale rriten në 84.024 denarë.
Të lidhura
None found
Në krahasim me majin, vlera e shportës minimale sindikale ka shënuar rënie prej 88 denarësh.
Pjesën më të madhe të buxhetit familjar e zënë ushqimi dhe pijet, për të cilat nevojiten 25.120 denarë, ose 36,6% e shumës së përgjithshme. Pas tyre renditen shpenzimet për arsim, ku për nevojat edukative parashihen 7.192 denarë, që përfaqësojnë 10,5%.
Për veshje dhe këpucë ndahen 6.511 denarë, apo 9,5%, ndërsa për shërbimet komunale si energjia elektrike, uji dhe ngrohja në një banesë në pronësi nevojiten 6.379 denarë.
Për rekreacion dhe kulturë janë llogaritur 5.592 denarë, ndërsa 5.089 denarë shkojnë për transport. Nga ana tjetër, për ushqim në restorante dhe shërbime hotelerie nevojiten 4.131 denarë.
Në fund të kësaj përllogaritjeje janë komunikimet me 3.677 denarë, higjiena personale dhe mirëmbajtja e shtëpisë me 2.667 denarë, shëndetësia me 1.196 denarë, si dhe mallra të tjera me 1.100 denarë.
