Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Alper Aktash. Sipas njoftimit të kabinetit të Gashit, ai e mirëpriti diplomatin në Kuvend dhe i uroi sukses në detyrën e re.
Të lidhura
None found
Gashi nënvizoi se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë ndërtuar një miqësi e partneritet të fuqishëm dhe tradicional, të mbështetur në lidhje të konsoliduara historike e kulturore dhe në bashkëpunim aktiv në të gjitha nivelet. Sipas tij, komunikimi i shpeshtë në nivele të larta ndihmon në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme mes dy shteteve.
Gjatë takimit u veçua edhe bashkëpunimi parlamentar, i cili zhvillohet nga niveli i kryetarëve të parlamenteve deri te komisionet dhe grupet e miqësisë e të bashkëpunimit. Republika e Turqisë u cilësua si një ndër partnerët kryesorë tregtarë të Maqedonisë së Veriut, si dhe një investitore e vazhdueshme në ekonominë e vendit, në sektorë të ndryshëm, duke pasur rol strategjik në investime.
Ambasadori Alper Aktash deklaroi se do të punojë për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, forcimin e bashkëpunimit në turizëm dhe investime, si dhe për realizimin e projekteve infrastrukturore.
Dy bashkëbiseduesit vlerësuan se, pavarësisht marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, ka ende mundësi për zhvillimin e bashkëpunimit me interes të përbashkët. Fushat e kulturës, arsimit, bujqësisë, shëndetësisë dhe turizmit u përmendën si sektorë ku ky bashkëpunim mund të përparojë më tej.







