Ndotja e ajrit është rikthyer në Shkup, i cili mbrëmë u rendit ndër qytetet më të ndotura në botë. Sipas të dhënave të fundit, indeksi i cilësisë së ajrit sot ka shënuar 80 pikë, duke e vendosur kryeqytetin në kategorinë e ndotjes së lartë.
Të lidhura
None found
Ambientalistët vlerësojnë se rekomandimet për përmirësimin e situatës përsëriten prej vitesh, ndërsa zbatimi i tyre vazhdon të jetë i pamjaftueshëm.
Arianit Xhaferi, ambientalist, theksoi se duhet të parandalohet djegia e materialeve të papërshtatshme për ngrohje, veçanërisht në sektorin industrial, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në shtimin e ndotjes. Sipas tij, përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje duhet të subvencionohet si alternativë ndaj qymyrit, mazutit dhe lëndëve të tjera ndotëse.
Ai shtoi se, krahas kontrollit të materialeve që digjen, nevojiten burime më të pastra ngrohjeje dhe një transport publik më funksional. Zbatimi i pandërprerë i këtyre masave shihet si i domosdoshëm për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Ministria e Ambientit Jetësor deklaron se ka përgatitur një plan strategjik afatshkurtër për sezonin dimëror të ngrohjes. Dokumenti përcakton masat që duhet të ndërmarrin institucionet qendrore dhe lokale për ruajtjen e ambientit dhe parandalimin e ndotjes së ajrit nga komponentët ndotës./Alsat/






