Pas homazheve, janë përcjellë për në banesën e fundit dy fëmijët, 10 dhe 12-vjeç, që u përplasën për vdekje një ditë më parë në qytetin e Durrësit nga Nikoll Radaçi që drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Mes dhimbjes dhe lotëve, të afërm dhe banorë të zonës së ish Kënetës u dhanë lamtumirën e fundit dy vogëlushëve.
Të lidhura
Në homazhe, ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila teksa shprehu ngushëllimet, theksoi nevojën për arantohen standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë.
NGJARJA
Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, 57 vjeç, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.
Drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas ngjarjes, ai u largua nga vendi i aksidentit, por u vu në pranga më pas nga policia. 57-vjeçari rezultoi se ishte ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë parakalime të gabuara dhe tejkalim shpejtësie ndërsa i ishte pezulluar patenta nga 1 muaj.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.


