“Situata mund të përshkallëzojë”/ Protesta e opozitës më 22 mars, reagon Ambasada amerikane: Qytetarët amerikanë të jenë vigjilent

Ambasada e SHBA-së në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin zonat e protestave dhe grumbullimet e njerëzve gjatë pasdites së 22 marsit. Sipas njoftimit zyrtar, pritet shtim i prezencës policore, mbyllje rrugësh dhe bllokime të trafikut në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestës.

Ky paralajmërim vjen ndërkohë që opozita ka njoftuar mbajtjen e protestës së radhës, e cila është planifikuar të nisë në orën 18:00. Përfaqësia diplomatike këshillon shtetasit e saj të tregojnë kujdes të shtuar, pasi dinamika e tubimit mund të ndryshojë me shpejtësi gjatë orëve të mbrëmjes.

Njoftimi i Ambasadës amerikane në Tiranë:

“Vendndodhja: Në të gjithë Tiranën; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza

Data/Orari: E diel, 22 mars 2026, ora 18:00

Ngjarja: Një protestë pritet të zhvillohet të dielën, më 22 mars 2026, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Protesta mund të shtrihet edhe në zonat përreth. Pritet shtim i prezencës policore, mbyllje rrugësh dhe bllokime të trafikut në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestës. Personelit të Ambasadës së SHBA-së i është rekomanduar të shmangë pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Ndiqni mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese për informacionet më të fundit.

Ndërsa protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në rrugët përreth dhe pranë institucioneve qeveritare, duke shkaktuar devijime trafiku dhe bllokime rrugësh. Rekomandimi i përgjithshëm është të shmangen zonat e protestës. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe jepni përparësi sigurisë personale. Forconi masat tuaja të sigurisë duke ndjekur këto këshilla:

Veprimet që duhen ndërmarrë:

Qytetarëve amerikanë u rekomandohet të shmangin këtë aktivitet

Tregoni kujdes për rrethinën tuaj

Kufizoni shpërqendrimet si telefonat apo kufjet në ambiente publike

Ndiqni mediat lokale

Keni gjithmonë një plan emergjence ose dalje alternative

Mbani profil të ulët”,njofton Ambasada.


Shtuar 19.03.2026 19:26