Parlamenti Europian ndalon hyrjen e përfaqësuesve të Iranit, vendimi nga Roberta Metsola: Populli i guximshëm iranian po vijon betejën për liri

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, ka njoftuar se ka marrë vendimin për të ndaluar hyrjen e të gjithë personelit diplomatik dhe çdo përfaqësuesi të Republikës Islamike të Iranit në të gjitha ambientet e Parlamentit Europian.

Vendimi u bë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Metsola thekson se masa vjen në mbështetje të popullit iranian, i cili sipas saj po vazhdon të luftojë me guxim për të drejtat dhe lirinë e tij.

“Ndërsa populli i guximshëm i Iranit vazhdon betejën për të drejtat dhe lirinë, sot vendosa të ndaloj hyrjen në të gjitha ambientet e Parlamentit Europian për të gjithë personelin diplomatik dhe çdo përfaqësues tjetër të Republikës Islamike të Iranit”, shkruan Metsola.

Ajo shton se Parlamenti Europian nuk do të kontribuojë në legjitimimin e një regjimi, i cili sipas saj mbahet në pushtet përmes torturës, represionit dhe vrasjeve.

Vendimi shënon një qëndrim të fortë politik të institucionit europian ndaj regjimit iranian dhe vjen në një kohë tensionesh të shtuara ndërkombëtare lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran.


Shtuar 12.01.2026 17:52