Partia Demokratike dhe aleatët e saj mbajtën Foltoren e dytë para Kryeministrisë në bulevard, ku kërkuan dorëheqjen e Belinda Ballukut, e marrë e pandehur dhe me masë sigurie nga GJKKO, e të qeverisë.
Tubimi para mbështetësve u hap nga deputeti Oerd Bylykbashi, i cili denoncoi tenderat abuzive të qeverisë dhe ministres Balluku, duke zbuluar edhe atë të “Ekoparkut” në Durrës, ku shpjegoi se janë grabitur 12 milionë euro pikërisht një javë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke ia dhënë Klodian Zotos.
“11 maji është gjeneza e kësaj qeverisjeje, që sot po e tregon në sy të gjithë botës se si po i grabit shqiptarët jo me pak miliona, por me qindra miliona. Edhe korrupsioni si vepër penale u rri ngushtë. Kjo është një grabitje, kanë hequr maskën e grabitësit dhe po e bëjnë hapur. Kemi folur edhe për inceneratorët në Elbasan, Fier, Tiranë, Ecoparkun dhe të tjerët. Tuneli i Llogarisë nuk është vetëm, ka dhe të tjerë, janë pak ato 190 milionë, ato 50 milionë nuk janë asgjë, sepse në Durrës janë grabitur miliona të tjera. Ia kanë dhënë Klodian Zotos, janë mbi 6 milionë euro, po 12 milionë euro të tjera me kompani që u kanë dhënë tenderin, vetëm një javë pas tërmetit në Durrës, që të mos lodheshin me makinacione e t’ia jepnin kompanisë para se të dilte Edi Rama, e t’i jepnin Ecoparkun. Kanë futur 12 mln euro në xhep një javë pas tërmetit, kur familjarët qanin për dëmet, kanë hequr kapuçin, po grabisin ditën për diell, nuk pyesin aspak. Mjafton të shohësh Belinda Ballukun për të kuptuar se ku kanë arritur”, tha Bylykbashi në fjalën e tij.
Ai denoncoi edhe koncesionin me portin e Durrësit, duke shpjeguar se do i kushtojë shqiptarëve jo vetëm 1 mld euro nga buxheti, por edhe 150 milionë të tjera që do i vilen nga taksat shtesë. Deputeti nënvizoi se ky aset i rëndësishëm i vendit po i jepet miqve të kryeministrit nga vetë ky i fundit.
“Po Porti i Durrësit, kushton 1 miliardë euro, me breza kanë lënë atje shqiptarët, aseti më i madh i vendit, por jo, do ia dhuronte mikut të tij arab për të bërë mijëra apartamente dhe për të zhdukur atë port, do hidhen 1 mld euro, është e njëjta skemë si ajo e Llogarasë, një kompani greke. Do e marrë kompania që është përcaktuar dhe 1 mld euro do i paguajnë shqiptarët një më një. E quajnë buxheti i shtetit, por nuk është buxheti, po planifikojnë t’i marrin edhe 150 milionë euro taksa nga xhepat e qytetarëve. Kanë arritur aty ku nuk fshihen më”, u shpreh ligjvënësi demokrat.
Bylykbashi theksoi se Rama po mbron ministren dhe vartësen e tij Belinda Balluku, që akuzohet për abuzimet milionëshe me tenderime e prokurime, pasi është vetë pas aferave.

