Eurodeputeti gjerman Michael Gahler e sheh krijimin e një qeverie teknike në Shqipëri si një mënyrë për të rikthyer besimin e qytetarëve te zgjedhjet dhe për të zbutur tensionet politike.
Në një diskutim në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ai tha se një qeveri e tillë do t’u jepte qytetarëve shpresë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas Gahler, ajo mund të fitonte edhe besimin e shoqërisë civile, të ulte tonet e protestave dhe të ndihmonte në arritjen e paqes.
Të lidhura
None found
Eurodeputeti iu referua gjithashtu kullave të ndërtuara në Tiranë, duke thënë se ato tregojnë problematikat në vend dhe mënyrën se si pastrohen paratë.
Deklaratat e tij bëhen ndërsa në Shqipëri vazhdojnë protestat kundër qeverisë dhe kërkesat për ndryshime politike. Gahler ka shprehur edhe më parë shqetësim për lidhjet mes shtetit, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar, si dhe për ndikimin e tyre në perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Edhe McAllister, kreu i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, ka ngritur shqetësime për situatën në Shqipëri, duke vënë në dukje se qytetarët kanë dalë në rrugë kundër korrupsionit dhe abuzimit.








