Sot seancë në Kuvend, nga rritja e pagës minimale tek Projekt-Buxheti 2026 dhe Paketa Fiskale

Këtë të të mërkurë, Kuvendi i Shqipërisë, do të zhvillojë seancë plenare, ku do të shqyrtohen disa projektligje të rëndësishme që lidhen me sistemin tatimor, fiskal dhe buxhetor të vendit.

Seanca pritet të përfshijë diskutime mbi procedurat tatimore, tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi të ardhurat, taksat vendore, faturimin dhe monitorimin e qarkullimit, si dhe masat për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme dhe menaxhimin e detyrimeve tatimore.

Në seancë pritet të diskutohet projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”.

Projektbuxheti 2026 parashikon shpenzime totale prej 886,7 miliardë lekësh, ose 31,9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.

Ndërkohë, të ardhurat buxhetore për vitin e ardhshëm janë planifikuar në 823,1 miliardë lekë, ose 29,6% të PBB-së, me një rritje prej 52,9 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar të këtij viti

Shtylla kryesore e tij është Reforma e Pensioneve, që nis në janar 2026 dhe do të shtrihet deri në vitin 2030, me një efekt financiar prej 10,4 miliardë lekësh për vitin e ardhshëm.

Gjithashtu, paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë, duke arritur në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, me synimin 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.

Do të zbatohet edhe indeksimi periodik i pagave në administratën publike dhe rritje të diferencuara për kategori të caktuara punonjësish.

Një tjetër element i rëndësishëm është rritja e pagës minimale, e cila do të kalojë nga 40 mijë në 50 mijë lekë në muaj nga 1 janari 2026, duke përfshirë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat.

Sipas planit afatmesëm, paga minimale do të arrijë 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.

Në buxhet janë parashikuar edhe rritje të diferencuara pagash dhe indeksim periodik për mbi 144 mijë punonjës të administratës qendrore dhe vendore, me një kosto të përgjithshme prej 10 miliardë lekësh.

Rritja ekonomike për vitin 2026 parashikohet të jetë 4%, papunësia do të ruhet në nivelin 8,5%, ndërsa inflacioni pritet të mbetet i qëndrueshëm në 2,2%. Deficiti buxhetor do të ulet në 2,3% të PBB-së dhe borxhi publik në 53,6%.

Gjithashtu, rendi i ditës në seancën plenare përfshin miratimin e projektligjit “Për marrëveshjen e paqes fiskale”.

Sipas projektligjit, nëse një biznes ka deklaruar informacion gabim për vitet e kaluara, mund ta korrigjojë atë dhe të paguajë një tatim 5% për ndryshimet, pa pasur dënime të tjera të shtrënguara.

Ky projektligj ka për qëllim të ofrojë mundësinë e një marrëveshjeje me administratën tatimore për një periudhë afatmesme prej tre vitesh.

Ky instrument do të jetë i vlefshëm për tatimpaguesit me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë, të cilët përmbushin disa kushte të veçanta, siç janë mungesa e detyrimeve të papaguara dhe një histori e pastër tatimore.

Nëpërmjet këtij projektligji, tatimpaguesit mund të lidhin një marrëveshje të veçantë me administratën tatimore, ku do të përcaktohet paraprakisht baza e tatueshme dhe detyrimi tatimor për një vit, me mundësi rinovimi deri në dy vite të tjera.

Në rend të ditës parashikohen edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar.”

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’.”

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’.”

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’, të ndryshuar.”

Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar.

Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”./ATA


Shtuar 19.11.2025 08:40

Tags: , ,