Ushtria izraelite akuzon Hamasin për shkelje të armëpushimit! Netanyahu: Hodhëm 153 ton bomba në Rripin e Gazës

Izraeli ka ndërmarrë një nga sulmet më të fuqishme ajrore të javëve të fundit në Rripin e Gazës, duke lëshuar 153 ton bomba brenda një dite.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë një fjale në parlamentin izraelit, ku theksoi se bombardimet u zhvilluan si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të Hamasit që la dy ushtarë izraelitë të vrarë.

“Ne hodhëm 153 ton bomba dje në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës pasi dy nga ushtarët tanë u vranë nga Hamasi,” deklaroi Netanyahu në hapje të sesionit të dimrit në Knesset.

Sipas ushtrisë izraelite (IDF), sulmet u përqendruan në pozicione të dyshuara të Hamasit, të cilët akuzohen për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Nga ana tjetër, Hamasi mohoi çdo përfshirje në incidentin që shkaktoi vdekjen e ushtarëve izraelitë, duke deklaruar se mbetet “plotësisht i angazhuar” ndaj marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 10 tetor.

Situata në terren mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje të dyja palëve për vetëpërmbajtje dhe respektim të marrëveshjeve ekzistuese.


Shtuar 20.10.2025 20:24