Ukraina ka vendosur ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në të gjitha rajonet e saj, përveç dy prej tyre, pas një vale të re sulmesh ruse që kanë dëmtuar rëndë rrjetin energjetik të vendit. Lajmi u konfirmua sot nga zyrtarë të qeverisë ukrainase.
Sipas Ministrisë së Energjisë së Ukrainës, sulmet e fundit ruse kanë shkaktuar dëme serioze në infrastrukturën energjetike, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa drastike për të ruajtur stabilitetin e sistemit.
Ndërprerjet e energjisë janë tashmë në zbatim në rajonin lindor të Donetskut dhe në rajonin verior të Çernihivit. Pritet që kufizimet të zbatohen edhe në rajonet e tjera gjatë orëve dhe ditëve në vijim.
Rusia ka intensifikuar goditjet ndaj termocentraleve dhe objekteve të gazit natyror ndërsa afrohet dimri, duke e zhytur herë pas here kryeqytetin Kiev dhe qytete të tjera të mëdha në errësirë të plotë.
Ndërkohë, kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, DTEK, njoftoi sot se javën e kaluar ka arritur të rikthejë furnizimin me energji për rreth 1.9 milionë qytetarë në Kiev, Odesa dhe rajonin e Dnipropetrovskit.
Zyrtarët ukrainas, përfshirë Presidentin Volodymyr Zelensky, po u bëjnë thirrje vendeve partnere të përshpejtojnë furnizimin me sisteme mbrojtëse kundërajrore dhe ndihmë energjetike për të përballuar dimrin.
Duke folur nga Brukseli, ministri i Mbrojtjes Denys Shmyhal deklaroi se “Ukraina po përgatitet për një dimër shumë të vështirë dhe të ashpër”, ndërsa kërkoi mbështetje për rritjen e prodhimit të dronëve për mbrojtje ajrore.
“E dimë që Putini do të vazhdojë terrorin e tij,” theksoi ai.