Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji/ Ekstradohet nga Dubai Amar Shkëmbi, momentet kur mbërrin në Rinas

Është ekstraduar nga Dubai, Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi, i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku, ngjarje e ndodhur më 1 Nëntor 2019.

Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, në vitin 2022 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje pa leje dhe grup të strukturuar Kriminal. Amar Shkëmbi dyshohet si anëtar i bandës së Plarent Dervishaj që sipas SPAK në vitin 2019 organizoi atentatin tek mbikalimi I Shkozetit.

Në atentat mbetën të plagosur Arjan Ndoji, ish-prokuror dhe Aleksandër Laho i njohur me nofkën “Rrumi”, ndërkohë mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i Ndojit.

Përplasja midis dy grupeve ndodhi për shkak të konfliktit për pronat në bregdet. Në shkurt 2023 Amar (Dritan) Shkëmbi u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dubai është kthyer në një “parajsë” ku shqiptarët me rekorde kriminale fshihen.

Njoftimi:

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2022, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:

“Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. N.;

“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit A. M., si dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit A. L. (P. M.);

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, e dyshuar e kryer në bashkëpunim me shtetasit P. D., E. S., B. P., J. M. dhe R. R., në dëm të shtetasve A. N. dhe A. L. (P. M.), vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;

“Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi A. Sh. alias D. Sh. është i implikuar në ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku disa shtetas që lëviznin me automjet, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit A. M., A. N. dhe A. L.. Si pasojë humbi jetën shtetasi A. M., si dhe u plagosën shtetasit A. N. dhe A. L..

 


Shtuar 14.10.2025 08:44