Ekzekutohet në Teksas 46-vjeçari i dënuar për vrasje, pak ditë pas dështimit të ekzekutimit të Christa Pike

Jamaal Howard, 46 vjeç, u ekzekutua të mërkurën në mbrëmje në Teksas, duke u bërë personi i parë i ekzekutuar në Shtetet e Bashkuara që prej tentativës së dështuar ndaj Christa Pike javën e kaluar.

Të lidhura

None found

Howard mori injeksionin vdekjeprurës me pentobarbital në burgun shtetëror të Huntsville. Ai u shpall i vdekur në orën 20:03, sipas kohës lokale.

Mbrojtja e tij kishte kërkuar ndalimin e ekzekutimit, duke ngritur shqetësime për përdorimin e të njëjtit ilaç të administruar gjatë ekzekutimit të dështuar të Pike. Avokatët pretenduan gjithashtu se pentobarbitali i ruajtur në Teksas mund të ishte degraduar.

Kërkesat për apel u rrëzuan në dy raste, ndërsa Gjykata Supreme e SHBA-së e refuzoi apelimin të mërkurën vonë. Përfaqësuesit ligjorë të Howard i kërkuan edhe guvernatorit republikan të Teksasit, Greg Abbott, një shtyrje prej 30 ditësh, në mënyrë që të siguronin më shumë të dhëna mbi ilaçin. Kjo kërkesë nuk u pranua.

Howard ishte 20 vjeç kur vrau me armë 42-vjeçaren Vickie Swartout, e cila punonte në një dyqan në Teksas. Autoritetet thanë se ai kishte grabitur një paketë cigare dhe 114 dollarë nga arka.

Para se të ekzekutohej, Howard iu drejtua familjes së viktimës, e cila po e ndiqte procesin nga dhoma e dëshmitarëve, dhe u kërkoi falje.

“Më vjen keq për atë që ndodhi. Shpresoj që një ditë të mund të më falni”, deklaroi ai si fjalët e fundit.

Ekzekutimi u krye vetëm disa ditë pas përpjekjes së pasuksesshme për të ekzekutuar Christa Pike, ngjarje që ka rikthyer debatet mbi mënyrën e dhënies së injeksioneve vdekjeprurëse dhe gjendjen e barnave të përdorura në ekzekutimet në SHBA.


Shtuar më 8.10.2026 07:52