Banka e Shqipërisë nuk ndryshoi normën bazë të interesit, e cila mbetet 2.5%. Megjithatë, institucioni paralajmëroi se intensifikimi i presioneve inflacioniste, mund ta bëjë të nevojshëm shtrëngimin e politikës monetare në të ardhmen.
Në mbledhjen e zhvilluar më 7 tetor, Këshilli Mbikëqyrës, la gjithashtu të pandryshuara normat për depozitën njëditore, në 1.5%, dhe për kredinë njëditore, në 3.5%.
Të lidhura
None found
Guvernatori Gent Sejko, tha se politika monetare aktuale mbetet e përshtatshme. Por, sipas tij, rritja e inflacionit dhe rreziqet, të lidhura kryesisht me zhvillimet jashtë vendit, kanë shtuar mundësinë që në të ardhmen të ndërmerret një hap shtrëngues.
“Këshilli Mbikëqyrës thekson se rritja e presioneve mbi inflacionin dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi parashikimet tona, forcojnë premisat e një reagimi në kahun shtrëngues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen”, u shpreh Sejko.
Një vendim në këtë drejtim do të sillte rritjen e normës bazë. Banka nuk ka dhënë një datë të mundshme për këtë hap dhe sqaron se vendimet do të mbështeten te të dhënat e reja mbi inflacionin e presionet mbi çmimet, si dhe te politika fiskale dhe ecuria e kursit të këmbimit.
Paralajmërimi vjen pas përshpejtimit të inflacionit gjatë verës. Mesatarja për muajt korrik-gusht ishte 3.3%, me rritje disi më të shpejtë se parashikimi i Bankës së Shqipërisë.
Presionet e shtuara kanë ardhur kryesisht nga tregjet e huaja, ku janë shtrenjtuar nafta, energjia, ushqimet dhe lëndët e tjera bazë. Banka Qendrore i lidh këto zhvillime edhe me përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Në Shqipëri, karburantet dhe ushqimet e papërpunuara patën ndikimin kryesor në rritjen e inflacionit në korrik dhe gusht. Ndërkohë, inflacioni i shërbimeve dhe i qirave u ul.
Forcimi i lekut ka kufizuar një pjesë të ndikimit të çmimeve të huaja, por nuk ka arritur ta kompensojë plotësisht shtrenjtimin në tregjet ndërkombëtare dhe inflacionin në vendet partnere tregtare. Si rezultat, është rritur inflacioni i importuar.
Parashikimi i Bankës është që inflacioni të shënojë një rritje të lehtë në dy tremujorët e ardhshëm, e cila pritet të jetë e moderuar dhe e përkohshme. Nga mesi i vitit 2027, ai parashikohet të nisë uljen graduale drejt objektivit të institucionit.
Edhe zhvillimet në tregun vendas ushtrojnë presion mbi çmimet. Tregu i punës mbetet i shtrënguar dhe pagat po rriten me ritme të larta.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, papunësia ra pranë minimumit historik, në 8.3%, punësimi në sektorin privat jobujqësor u shtua me 2.3%, ndërsa paga mesatare u rrit me 11.5%.
Rritja ekonomike vijon të jetë solide. Prodhimi i Brendshëm Bruto u zgjerua me 3.6% në tremujorin e dytë, me kontribut kryesor nga konsumi dhe investimet. Zgjerimi u mbështet veçanërisht nga ndërtimi dhe shërbimet, ndërsa industria dhe bujqësia vijuan të tkurren.
Banka e Shqipërisë i ka përmirësuar parashikimet për aktivitetin ekonomik dhe pret që rritja në vijim të jetë disi më e lartë se sa vlerësohej më parë.
Kredia për ekonominë po rritet me ritëm të shpejtë. Gjatë korrik-gushtit, portofoli i huasë për sektorin privat u zgjerua me 15.4% në bazë vjetore.
Financimi po përdoret nga bizneset për investime, nga familjet për blerje banesash dhe konsum, ndërsa po shtohet orientimi drejt monedhës vendase.
Ndërkohë, cilësia e huave në sektorin bankar është përmirësuar më tej. Kredia me probleme përbën 3.7% të portofolit, niveli më i ulët që prej krizës financiare globale, sipas Bankës së Shqipërisë.
Megjithëse treguesit ekonomikë janë pozitivë, pasiguria kryesore, sipas Bankës, vjen nga zhvillimet ndërkombëtare.
Tensionet në Lindjen e Mesme mund të rrisin më tej çmimet e energjisë dhe produkteve bazë, duke shtuar presionin mbi inflacionin në Shqipëri. Rrezik tjetër për çmimet përbëjnë mungesa e punonjësve dhe rritja e shpejtë e pagave.
Norma bazë, për momentin, qëndron në 2.5%. Mesazhi i dalë nga mbledhja e tetorit është se, nëse presionet mbi çmimet vazhdojnë ose shtohen, Banka e Shqipërisë nuk përjashton rikthimin te rritja e normave të interesit.






