Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e katër personave të dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës.
Në cilësinë e të pandehurve janë marrë Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Sipas SPAK, ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Të lidhura
None found
Hetimi ka rindërtuar lëvizjet e të dyshuarve me automjete të ndryshme, ndjekjen e Renis Dobrës dhe momentin kur ai është nxjerrë me forcë nga makina e tij. Prokuroria pretendon se viktima është dhunuar dhe më pas është vrarë, ndërsa trupi i tij dhe automjeti janë hedhur drejt ujërave të liqenit të Ulzës për të humbur gjurmët.
SPAK bën të ditur se pamjet e kamerave të sigurisë, të dhënat GPS, tabulatet telefonike dhe ekspertimi mjeko-ligjor kanë nxjerrë në pah mënyrën e planifikimit dhe koordinimit të veprimeve.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.181 të vitit 2025 ndaj Fation Bushgjokajt, Petrit Hoxhës (Çakraj), Kristë Bushgjokajt dhe Aleksandër Bushgjokajt.
Të katër personat akuzohen për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit përmes grupit të strukturuar kriminal, si edhe për “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Këto vepra parashikohen nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.
Procedimi lidhet me ngjarjen e datës 8.7.2025. Sipas përfundimeve të hetimit, të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të bashkërenduar për të rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin R.D.
Hetuesit kanë përdorur pamjet e kamerave të sigurisë, të dhënat GPS të automjeteve të marra me qira dhe prova të tjera për të ndjekur lëvizjet e personave të dyshuar në Burrel dhe përgjatë aksit Klos–Zenisht. Pranë “Urës së Matit”, R.D. është pikasur duke udhëtuar me një automjet Benz dhe është ndjekur nga një Hyundai Santa Fe, ku ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj.
Sipas SPAK, dy personat që ndodheshin në Hyundai Santa Fe kanë njoftuar Fation Bushgjokajn dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët udhëtonin me një automjet Range Rover. Ndjekja ka vijuar deri te “Kroi i Suçit”.
Rreth orës 21:58, automjeti Range Rover dyshohet se i ka prerë rrugën viktimës. R.D. është nxjerrë me forcë nga makina e tij dhe, nën dhunën e autorëve, është futur në Range Rover.
Më pas, të tre automjetet kanë lëvizur në varg nga Burreli në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit. Në këtë itinerar, sipas hetimit, R.D. është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja nga autorët. Përfundimet mbështeten edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor.
Pas ngjarjes, automjeti i viktimës dhe trupi i tij janë hedhur drejt ujërave të liqenit të Ulzës, me synim fshehjen dhe zhdukjen e tyre.
Analiza e itinerareve të automjeteve, verifikimi i kamerave pranë vendit të ngjarjes, të dhënat GPS, tabulatet telefonike dhe informacioni i nxjerrë nga pajisjet telefonike të personave nën hetim kanë çuar në përfundimin se rrëmbimi dhe vrasja e R.D. janë planifikuar dhe zbatuar në mënyrë të organizuar e të koordinuar, në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.







