“Njohja e shtetit palestinez, akt i turpshëm”- Mesazhi i Netanyahut në OKB për pengjet izraelitë: Nuk ju kemi harruar asnjë sekondë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti sot një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork

Gjatë fjalës së tij ai tha se njohja e shtetit palestinez është “çmenduri e pastër”, duke shtuar se njohja nga disa vende të tjera është “e turpshme”.

Teksa Netanyahu iu drejtua foltores, dhjetëra njerëz u larguan nga salla në Nju Jork në shenjë proteste, ndërsa disa duartrokitën. Ndërsa Netanyahu nga ana e tij tha se altoparlantët në Izrael po e transmetojnë fjalimin e tij në Gaza, raporton BBC.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt pengjeve që mbahen nga Hamasi, ai tha: “Ne nuk ju kemi harruar, as për një sekondë. Populli i Izraelit është me ju”.

Fjalimi i tij vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk do të lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Izraeli po përballet me presion global në rritje për t’i dhënë fund konfliktit dhe pushtimit të Bregut Perëndimor.

Duke folur në OKB të enjten, presidenti palestinez Mahmoud Abbas përsëriti refuzimin e tij për një rol qeverisës të ardhshëm për Hamasin në Gaza dhe kërkoi që ai të çarmatoset.


Shtuar 26.09.2025 17:21

Tags: ,