Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka monitoruar nga qendra e komandës së Forcave Ajrore izraelite në Tel Aviv operacionet ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen, duke theksuar se Izraeli do të vazhdojë të godasë çdo kërcënim ndaj sigurisë së tij.
“Kushdo që na sulmon, do ta godasim. Kushdo që planifikon të na sulmojë, do ta godasim. Mendoj se i gjithë rajoni e kupton forcën dhe vendosmërinë e Izraelit,” deklaroi Netanyahu në një video-mesazh të shpërndarë nga zyra e tij.
Në të njëjtin mesazh, ai shtoi se “regjimi terrorist Houthi po mëson në mënyrën më të vështirë se do të paguajë dhe do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë për agresionin e tij kundër Izraelit.”
Deklaratat e Netanyahut vijnë pak pas njoftimit se Forcat Ajrore Izraelite (IAF) kanë goditur një kompleks ushtarak në kryeqytetin e Jemenit, Sana’a, ku ndodhet edhe pallati presidencial. Sipas autoriteteve izraelite, janë goditur gjithashtu një rezervuar karburanti dhe dy termocentrale.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha nga ana e tij se forcat izraelite “kanë shkatërruar pallatin presidencial të Houthi në Jemen dhe kanë goditur rezervuarët e karburantit dhe infrastrukturën energjetike.”
“Po vazhdojmë të zbatojmë një bllokadë ajrore dhe detare, dhe të godasim infrastrukturat që përdoren për të përkrahur terrorizmin e Houthi-ve. Për çdo raketë që lëshojnë kundër Izraelit, do të paguajnë shumëfish,” theksoi Katz.