Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, i kundërshton ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale të vitit 2027 dhe kërkon që bizneset të konsultohen para se të merret çdo vendim që ndikon te sipërmarrja.
Në reagimin e bërë publik, shoqata shpreh shqetësimin për propozimet paraprake që parashikojnë rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% dhe të TVSH-së së përgjithshme nga 20% në 21%.
Të lidhura
None found
Ndër propozimet është edhe kalimi i normës së reduktuar të TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%. Gjithashtu, nga 1 janari 2027, pragu i qarkullimit vjetor për regjistrimin e detyrueshëm në TVSH pritet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Sipas përllogaritjeve paraprake të shoqatës, rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin mund t’u sjellë bizneseve një kosto shtesë prej rreth 85 milionë eurosh në vit.
Ndërkaq, ulja e pragut të TVSH-së parashikohet të përfshijë në skemë rreth 17 516 tatimpagues të rinj.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë paralajmëron se miratimi i këtyre masave mund të pakësojë fitimin pas tatimit dhe burimet që kompanitë kanë në dispozicion për investime, modernizim dhe zgjerim të kapaciteteve prodhuese.
Shoqata vë në dukje gjithashtu se rritja e TVSH-së mund të ndikojë te çmimet dhe marzhet e fitimit, duke prekur kërkesën dhe konkurrueshmërinë e bizneseve, veçanërisht në turizëm.
Bizneset e vogla që do të hyjnë në skemën e TVSH-së mund të përballen me më shumë detyrime deklarimi e administrimi dhe me nevoja më të mëdha për likuiditet.
Shoqata paralajmëron se, pa masa efektive kundër informalitetit, barra më e lartë fiskale mbi aktivitetin e deklaruar mund të thellojë konkurrencën e pandershme.
Për këtë arsye, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kërkon që propozimet fiskale dhe analizat e ndikimit të bëhen publike, të zhvillohen konsultime të strukturuara me komunitetin e biznesit përpara miratimit të ndryshimeve dhe sipërmarrjeve t’u lihet kohë e mjaftueshme për t’u përshtatur.
“Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik”, thekson shoqata në reagimin e saj.







