Kryeministri kanadez, Mark Carney është shprehur së fundmi se nuk do ta përjashtonte praninë e trupave kanadeze në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë të propozuara në të ardhmen. Carney mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin Volodymyr Zelenskyy në Kiev.
“Në këtë Ditë të Pavarësisë së Ukrainës dhe në këtë moment kritik në historinë e kombit të tyre, Kanadaja po rrit mbështetjen dhe përpjekjet tona drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”, shkroi Carney në X.
Carney u shpreh se mbështetja e Kanadasë për Ukrainën është e palëkundur dhe se janë me ta në çdo hap të rrugës, në luftën për të mbrojtur sovranitetin dhe për të realizuar ëndrrat për Ukrainën. Presidenti ukrainas tha se prania e ushtarëve të huaj në Ukrainë do të ishte e rëndësishme. Ai theksoi se çështja e pranisë së ushtarëve në terren, është e rëndësishme për Ukrainën. Kryeministrit kanadez po viziton Kievin me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.