Plagoset 20-vjeçari në Greqi, policia: U bë nga gjobëvënës shqiptarë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kalkidhiki të Greqisë ku një 20-vjeçar është rrahur brutalisht dhe më pas është plagosur me armë zjarri. Sipas mediave greke protagonistë të kësaj ngjarje janë dy shqiptarë.

Sipas asaj që është bërë e ditur nga policia greke, sherri ka nisur pa pas mesnate në të gdhirë të së dielës, ku shtatë persona kanë zbritur nga makinat dhe kanë sulmuar 20-vjeçarin i cili ishte i ulur në një kafene në Pefkochori.

20-vjeçari u përpoq të arratisej brenda dyqanit, por tre nga autorët e ndoqën, e arritën dhe e goditën me grushte e sende të forta, ndërsa njëri prej tyre e qëlloi me pistoletë, duke i shkaktuar një plagë depërtuese në kofshën e djathtë.

Grupi i autorëve të krimit më pas u largua me shpejtësi, ndërsa i plagosuri u dërgua në spital. Mësohet se 20-vjeçari është bashkëpronar i kafenesë ku po qëndronte.

Nga hetimi i kryer nga Policia, dy nga tre autorët e plagosjes dhe rrahjes së 20-vjeçarit u identifikuan pak më vonë. Ata janë një 21 vjeçar dhe një 29 vjeçar me origjinë shqiptare, të cilët thuhet se i përkasin një grupi kriminal gjobëvënësish dhe që japin para me fajde në Selanik.

21-vjeçari u lirua nga burgu tetorin e kaluar, ndërsa ai po gjykohet në shkallën e 2-të për tentim vrasje, mbajtje pa leje dhe përdorim të armëve.

Sipas burimeve të policisë, motivi i sulmit të sotëm janë mosmarrëveshjet financiare në lidhje me “mbrojtjen”, të cilat kërkohen nga anëtarët e grupit të zhvatësve në zonën e Kalkidhiki, tani që dyqanet kanë filluar funksionimin.

Policia Greke po kryen hetime për të gjetur dhe arrestuar autorët. /abcnews.al/


Shtuar 4.07.2021 22:24