Interesat e kredisë konsumatore zbritën në 62.2% në gjysmën e parë të vitit

Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore, pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 62.2%, nga 70.91% që kishte qenë në 6-mujorin e mëparshëm dhe 71.39% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të lidhura

None found

Për paradhëniet bankare (overdraftet), deri në 200 mijë lekë norma efektive mesatare shënoi rënie në 13.72%, nga 13.9% që ishte në 6-mujorin e kaluar dhe nga 14.04% që kishte qenë në gjysmën e parë të vitit 2024.

Edhe për kartat e kreditit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar zbriti në 20.29%, nga 20.47% që ishte në 6-mujorin e mëparshëm.

Për kreditë me këste me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma mesatare efektive e interesit ra në 26.41%, nga 27.42% që kishte qenë në 6-mujorin e mëparshëm.

Ndërkohë, për kreditë më të mëdha, me shuma nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë norma mesatare e interesit u rrit në 11.2%, nga 11% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm.

Normat e mësipërme të interesit, janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore të dhëna nga bankat dhe institucionet financiare jobanka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive të Bankës së Shqipërisë.

Norma mesatare efektive e interesit nuk nënkupton vetëm normën nominale të interesit të kredisë, por të gjitha kostot që i ngarkohen klientit për kredinë, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera.

Llogaritja e normës mesatare efektive të interesit, shërben si bazë për të llogaritur më tej normën maksimale efektive të interesit për kreditë konsumatore (NEI maksimal)

Rënia e normës efektive mesatare të interesit, përputhet në përgjithësi me një tendencë në rënie të interesave në tregun financiar, e përcaktuar nga lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, nga gjendja e lartë e likuiditetit në treg, por edhe nga një konkurrencë të lartë në tregun e kredisë konsumatore.

Kredia konsumatore u rrit me ritme të larta edhe në pjesën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 5-mujorin 2025 sektori bankar disbursoi 23.2 miliardë lekë kredi të reja konsumatore.

Vlera e kredisë konsumatore, u rrit me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ka prekur njëkohësisht vlerën më të larta historike për 5-mujorin.

Huadhënia konsumatore, është gjithnjë e më e përqendruar në monedhën vendase. 89% e kredisë së re konsumatore të dhënë gjatë këtij viti ka qenë në Lekë.

Në fund të majit 2025, portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 96.6 miliardë lekëve, në rritje me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. / Monitor


Shtuar 21.07.2025 08:06