Kërkon lirimin me kusht/ Sot seancë në Gjykatën e Fierit për Ervin Salianjin, pritet raporti i Shërbimit të Provës

Ditën e sotme, në Gjykatën e Fierit, do mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Shërbimi i Provës pritet të paraqesë raportin e tij, në bazë të të cilit gjykata do vendosë për pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

Në seancën e shkuar, u paraqit raporti i vlerësimit të sjelljes nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier, ku sipas avokatit të Salianjit, Ledio Braho, ka rezultuar pozitiv.

Salianji ndodhet në burgun e Fierit që prej tetorit 2023, pasi u dënua me 1 vit burg me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”.

Ai ka deklaruar se është viktimë e një procesi të montuar politik dhe se është dënuar padrejtësisht.


Shtuar 8.07.2025 08:54