Guvernatori Gent Sejko priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.
“Zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend kanë qenë pozitive gjatë vitit 2025. Aktiviteti ekonomik është rritur, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta, tregjet financiare kanë qenë të qeta me kushte financimi akomoduese. Gjithashtu parashikimet për zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten pozitive.”- u shpreh Guvernatori.
Ambasadori Cremades përgëzoi Bankën e Shqipërisë për punën e realizuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, garantimit të stabilitetit financiar dhe forcimit të qëndrueshmërisë së ekonomisë. Gjithashtu, ai u ndal në progresin e bërë nga ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe si një arritje e çmuar e vendit në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë bisedës, Ambasadori vlerësoi veçanërisht politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të objektivit të saj kryesor, ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve. Ai theksoi se nëpërmjet politikës së saj monetare, Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit në objektiv, duke siguruar njëkohësisht një ambient financiar të shëndetshëm e kreditim të bollshëm. Në vijim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur progresin e bërë në fushën e turizmit dhe potencialin e zhvillimit të tij si promotor i zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë drejtim, edhe sektori bankar ka dhënë kontributin e tij nëpërmjet rritjes së vëmendjes dhe financimit të turizmit.
Ambasadori Cremades theksoi mbështetjen e Spanjës për Shqipërinë në të gjitha fushat e bashkëpunimit, veçanërisht në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Ai shprehu mbështetjen e plotë të Spanjës në drejtim të procesit të anëtarësimit. Gjithashtu Ambasadori theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike e strukturore, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Spanjën si partner strategjik, në fushën e marrëdhënieve tregtare dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Në përfundim, Guvernatori dhe Ambasadori ndanë të njëjtin mendim mbi vullnetin e tyre për të zhvilluar më tej bashkëpunimin midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Spanjës, kryesisht në fushën e sistemit financiar.