Ambasada e SHBA në Tiranë shpërndan mesazhin e Trump: Çdo hakmarrje nga Irani do të përballet me forcë edhe më të madhe

Pas sulmeve të forcës ajrore amerikane ndaj tre objektivave bërthamore të Iranit, Ambasada e SHBA në Tiranë, ka shpërndarë mesazhin e presidentit Donald Trump,

Trump shkruan se në rast kundërpërgjigje, Teherani do të përballet me një forcë ushtarake edhe më të madhe se ajo e mbrëmjes së kaluar.

Mesazhi i Trump:

“Çdo hakmarrje nga irani kundër shteteve të bashkuara të amerikës do të përballet me forcë shumë më të madhe se çfarë u pa sonte. Faleminderit! Donald Trump, president i shteteve të bashkuara”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një seri sulmesh ajrore kundër lokacioneve bërthamore në Fordow, Isfahan dhe Natanz, në Iran. Njoftimi nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump erdhi në mbrëmjen përmes një mesazhi të publikuar në platformën e tij Truth Social dhe të shpërndarë për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë.

Gjatë një fjalimi drejtuar kombit, presidenti i SHBA-së tha se të tre lokacionet ishin “shkatërruar plotësisht”, duke specifikuar se qëllimi i Uashingtonit është të pamundësojë aftësitë e pasurimit të uraniumit të Teheranit dhe “t’i japë fund kërcënimit bërthamor të paraqitur nga një vend që është sponsori kryesor i terrorizmit në botë”. Trump i bëri thirrje edhe një herë Iranit, të cilin e quajti “ngacmuesi i Lindjes së Mesme”, të bëjë paqe, duke parashikuar sulme të reja të SHBA-së nëse nuk e bën këtë. “Nëse ata nuk bëjnë paqe, sulmet e ardhshme do të jenë më të këqija dhe shumë më të lehta për t’u kryer: kanë mbetur shumë objektiva dhe nëse paqja nuk arrihet së shpejti, ne do t’i godasim”, theksoi ai.

 


Shtuar 22.06.2025 11:07