Ditën e sotme, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, dha një pasqyrë të bashkëpunimit mes KQZ-së dhe SPAK-ut, në lidhje me hetimet për krimet zgjedhore.
Gjatë një konference për gazetarët, Celibashi bëri të ditur se aktualisht janë 115 materiale kallëzuese të referuara në SPAK, të cilat vijnë nga burime të ndryshme si partitë politike, denoncimet online apo qytetarët.
“Sipas të dhënave të deritanishme, nga subjektet politike janë paraqitur 25 kallëzime, ndërsa 35 të tjera janë denoncime online. Në total, SPAK ka hapur 35 procedime penale, nga të cilat 8 janë nisur me iniciativë të vetë institucionit”, deklaroi Celibashi.
Ai shtoi se edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, janë regjistruar 32 kallëzime penale në prokurori të ndryshme të vendit.
Celibashi nënvizoi se çdo institucion po ndjek me vëmendje parregullsitë dhe çdo indicie për krime zgjedhore, ndërsa theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor në të gjitha nivelet.