Personi nën hetim, Erion Veliaj, është ende në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe ka pushtetin për të ndikuar mbi vartësit e tij, për të zhdukur apo deformuar përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme që mund të shërbejnë si burime prove, si dhe për të ndikuar mbi persona të ndryshëm, vartës ose jo, për të mos dhënë deklarime me vlerë përpara organit procedues ose për të deformuar përmbajtjen e këtyre deklarimeve.
Ky është një nga argumentet e gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Engert Pëllumbi, në vendimin e zbardhur që konfirmoi edhe në shkallën e dytë arrestin në burg për kryebashkiakun Erion Veliaj, i dyshuar për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash.
Vendimi u është shpërndarë avokatëve të kryebashkiakut gjatë kësaj të marte, dhe aty, sikurse arsyetohet në shkresat që TCH disponon, gjykata i referohet edhe sjelljes së funksionarit gjatë kohës që ishte i arrestuar, ku dhe ka kryer telefonata nga numri i brendshëm i burgut.
Dhe që, sipas këqyrjeve të mëpasshme të SPAK, konsiderohet si rrezik i helmimit të provave. Megjithatë, shtohet më tej, gjykata vëren se ekziston edhe rreziku i ikjes dhe ai i kryerjes së veprave të tjera të të njëjtit lloj me ato për të cilat po ai procedohet.
Rrezik tjetër llogaritet ai i kërcënimit të grupit të hetimit. Për rrezikun e ndikimit të tek drejtësia kur i hetuari është funksionar i lartë, gjykata e apelit i referohet një vendimi të gjykatës evropiane në rastin Podeski kundër San Marinos dhe që sillet precedent i lidhjeve të forta të mbështetësve.
Pra, pozita e të hetuarit, thotë apeli në Shqipëri, çmohet “sa më i fuqishëm të jetë personi, aq më i madh konsiderohet potenciali për të minuar hetimin ose për të ushtruar trysni të papërshtatshme”.
Lidhur me dyshimet e arratisjes të të dyshuarit, gjyqtari i apelit Engert Pëllumbi, shprehet se mundësitë financiare të të hetuarit vlerësohen në harmoni me lëvizjet e tij të shumta, konfirmuar edhe nga sistemi TIMS, dhe për shkak të veprave për të cilat ai po hetohet, gjykata del në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta.
Ky konkluzion nuk relativizohet as nga fakti që personi nën hetim është kryefamiljar dhe babai i një fëmije të mitur, shton më tej gjyqtari.
Gjyqtari tregon edhe një rrezik tjetër, atë të rrezikut për të kryer recidivizëm. Menjëherë pas zbardhjes së vendimit, avokatët do t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë./TCH