Është ekstraduar nga Nju Jorku drejt Shqipërisë 52-vjeçari Valentin Ftoni, i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës gjatë viteve 1998-2001.
Më 19 shtator 2000, në zonën e Çasit, në Velipojë, Ftoni ka vrarë Gjelosh dhe Ardiana Markaj, për motive gjakmarrjeje. Për këtë ngjarje, më 28 shtator 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e shpalli fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burgim.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, më 12 gusht 2001, ai ka vrarë shtetasin Gac Toma Për këtë vrasje, më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e dënoi sërish me 25 vjet burgim.
Hetimet e autoriteteve shqiptare dhe amerikane dyshojnë se, pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin amerikan.
Dyshohet gjithashtu se në SHBA ai ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në vijim të njotimit të dhënë në muajin tetor 2026 dhe në vazhdën e punës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të Policisë së Shtetit me partnere ligjzbatues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në sajë të një pune të gjatë hetimore ndërmjet këtyre agjensive, më datë 08.10.2026, u arrestua në Nju Jork, shtetasi shqiptar Valentin Ftoni, 52 vjeç, Policia e Shtetit dhe Agjensite Federale Amerikane të koordinuara nga DSS/OCIU në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, kanë përmbyllur fazën përfundimtare të operacionit të qujtur “GLOBE”.
Më datë 18.11.2026, u bë ekstradimi i shtetasit shqiptar Valentin Ftoni, i njohur në Shtetet e Bashkuara, me 3 identitete të falsifikuara si Valentin Bujaj, Parim Hajredini (identitet kosovar) dhe Alexander Campusano (identitet i Amerikës Qendrore). Valentin Ftoni, person me profil të larte kriminal, i dënuar në Shqipëri për vrasje të shumëfishta, u mor në dorëzim nga autoritetet federale amerikane ICE-ERO dhe DSS/OCIU dhe iu vu në dispozicion për veprime të mëtejshme procedurale, autoriteteve shqiptare të cilat e kanë dënuar atë, 2 herë me nga 25 vjet burgim, për disa vrasje të kryera gjate viteve 1998-2001.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare prej vitit 2001, pasi është dënuar 2 herë, me nga 25 vjet burgim, për 3 vrasje të kryera në qarkun e Shkodres, dhe fshihej në ShBA, që pas arratisjes nga Shqipëria, duke shfrytëzuar identitetet e lartpërmendura.
Më datë 28.01.2001, Gjykata e Shkodrës e ka deklaruar fajtor dhe e ka dënuar shettasin Valentin Ftoni, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbjtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpëthyese dhe municionit”, pasi më datë 19.09.2000, në Cas, Shkodër, ka vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje.
Gjithashtu, më datë 18.11.2008, Gjykata e Shkodrës e ka deklaruar fajtor dhe e ka dënuar shtetasin Valentin Ftoni, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpëthyese dhe municionit”, pasi më datë 12.08.2001, në Shkodër, ka vrarë shtetasin G. T.








