Probleme me reshjet e dendura të dëborës/ Aksi Strugë-Qafë Thanë-Prrenjas i bllokuar plotësisht, deri 1 kilometër radha e automjeteve

Aksi rrugor Strugë-Qafë Thanë-Prrenjas ndodhet në një situatë emergjente, ku reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve dhe kanë krijuar kushte të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve. Mësohet se radha e mjeteve të bllokuara është rreth 1 km e gjatë.

Reshjet kanë bërë që rruga të jetë e mbuluar nga dëbora, duke vështirësuar kalimin e automjeteve dhe duke rrezikuar sigurinë e udhëtarëve. Autoritetet lokale kanë njoftuar se për shkak të kushteve të motit, duhet bërë kujdes i shtuar. Po ashtu, janë angazhuar grupet e emergjencës dhe borëpastrueset për të mundësuar kalimin e sigurt të mjeteve.

Qytetarët dhe udhëtarët janë inkurajuar që të qëndrojnë të informuar për kushtet e motit dhe të marrin masa paraprake si përdorimi i gomave të dimrit dhe kontrollimi i sistemeve të automjeteve përpara udhëtimit. Shërbimet e Policisë janë në gatishmëri në të gjitha akset rrugore, për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve, në rast nevoje.

Borëpastrueset janë në terren në zonën e Qafë Thanës për të mundësuar kalimin pa probleme në të gjitha akset rrugore. Policia iu bën thirje të gjithë përdoruesve të rrugës, që të shmangin lëvizjen e panevojshme në rrugë, të jenë të kujdeshëm, dhe në rast emergjence të kërkojnë ndihmën e policisë.


Shtuar 6.04.2025 22:16