Në një kohë kur gjithçka e ka një çmim, liria duket se kushton më shumë se gjithçka tjetër. Kryesisht për ata që kanë hesape të hapura me drejtësinë e aq më tepër kur atyre hesapeve, u shtohen edhe disa të tjera me krimin.
Një njeri që zgjedh të jetojë në arrati, duhet të ketë marrë në konsideratë kostot e mëdha që ka liria e zgjedhur në këtë formë. Kosto financiare dhe jo vetëm.
Ai vazhdimisht e gjen veten në udhëkryq dhe për të zgjedhur drejtimin e duhur duhet të peshojë gjithçka.
Hapat para e shtyjnë të kryejë krime të tjera, ndërsa hapat pas mund ta çojnë drejt burgut. Por në të dy krahët ka armiqësi e rivalitet.
Nga njëra anë janë ata që sipas kodeve kriminale i mbyllin sytë nëse hap gojën, e nga ana tjetër disa të tjerë që duken të betuar për t’u hakmarrë. Madje të bindur se kush nuk paguan me gjak, shpesh paguan me lot.
Por në rrethet kriminale, disa personazhe që janë shumë të besuar ndaj dikujt, për disa të tjerë shihen si rrezik. Jo më kot, njerëzit që i shërbejnë më shumë pronarit, konsiderohen si persona që nuk janë besnik ndaj askujt tjetër.
Dhe duket se ky është rreziku më i madh për dikë që zgjedh të jetojë në arrati.
Po flasim për Eljon Haton, i njohur tashmë si “ushtari i vetmuar” i Ervis Martinajt. Një njeri që vdekjen e ka parë në sy disa herë. Ka shkuar deri në buzë të varrit dhe sërish është ngritur në këmbë. Ndërsa sot, askush nuk e di me siguri se ku ndodhet, duke iu fshehur drejtësisë apo edhe armiqve.
Që prej korrikut të vitit 2023, ai është person i shpallur në kërim nga Prokuroria e Posaçme dhe ndaj tij ka një masë sigurimi “arrest në burg”, e dhënë në mungesë, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Zyrtarisht, me vendimin nr.94, datë 21 korrik 2023, të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, Eljon Hato, akuzohet për:
Vrasjen me paramendim e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim në dëm të Taulant Pepës, ngjarje e ndodhur më 21 shkurt 2021 në Shkodër; Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, në bashkëpunim; Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, e kryer në bashkëpunim.
Pas këtij vendimi Policia zhvilloi disa operacione për kapjen e tij, por pa sukses. Ndërsa vetë Eljon Hato, ndonëse në arrati, nuk ka qëndruar i fshehur, thjeshtë për t’i shpëtuar prangave. Përkundrazi, ka vijuar aktivitetin e tij kriminal, të paktën në dy raste për të cilat ai po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.
Emri i tij, ndonëse në arrati, doli në skenë në dy ngjarje kriminale në Shkodër. Në përplasjen me armë që ndodhi në Bushat më 23 gusht 2024 dhe në masakrën e Dobraçit që ndodhi më 30 tetor 2024. Madje në ngjarjen e fundit, dyshohet se ai mbeti edhe i plagosur, teksa ndodhej në automjetin e atentatorëve.
Historia e Eljon Hatos, i ngjan një lufte dhe duket se ka dy beteja kryesore: Betejën me vdekjen, rrjedhimisht edhe me krimin dhe betejën me drejtësinë, që herë e ka fituar e herë i është shmangur.
BETEJA ME DREJTËSINË
Aktiviteti kriminal i Eljon Hatos, mund të datojë hershëm, por të paktën zyrtarisht nis në vitin 2014, kur ai u akuzua për vrasje.
Ngjarja, për të cilën ai u akuzua, madje edhe qëndroi në burg për pak kohë, ndodhi mbrëmjen e datës 11 maj 2024, në një lokal me muzikë live në fshatin Zues të Shkodrës. Një 22-vjeçar mbeti i vdekur në vend, ndërsa kushëriri u plagos pas një sherri me një tjetër të ri që ndodhej në tavolinën pranë në lokalin e natës. Viktima ishte Indrit Ylli, banor i fshatit Oblikë, ndërsa i plagosur mbeti Jetmir Molla. Policia tha se kishte prova të forta që autori i këtij krimi ishte Eljon Hato, në atë kohë 25 vjeç, nga Shkodra, që njihej edhe me emrin Esmeraldo, i cili u shpall në kërkim.
Tre të rinjtë kishin shkuar me miqtë e tyre për të kaluar të shtunën mbrëma në një lokal me muzikë live në fshatin Zues të komunës Rrethina, në dalje të Shkodrës.
Pas disa orësh qëndrimi në lokal dhe pasi kishin konsumuar pije alkoolike, rreth orës 2 pas mesnate, Indrit Ylli, së bashku me kushëririn e tij Jetmir Molla kanë filluar të debatojnë me personat në tavolinën që ishte pranë tyre, ku ndodhej edhe i dyshuari si autor i ngjarjes, Eljon Hato.
Debati mes të rinjve fillimisht ka nisur me fjalë dhe më pas ka degjeneruar deri në përplasje fizike. Kur mendohej se trazira u shua me ndërhyrjen e dëshmitarëve të tjerë, në këtë moment Hato ka dalë jashtë lokalit, ka shkuar tek automjeti tij ku ka marrë një armë pistoletë. Me të në dorë ka hyrë në lokal, duke qëlluar mbi dy kushërinjtë.
Plumbat i kanë marrë jetën menjëherë 22-vjeçarit Ylli, ndërsa kushëriri Molla është dërguar i plagosur për në urgjencën e spitalit rajonal Shkodër ku edhe ka marrë ndihmën e parë dhe është jashtë rrezikut.
Me të marrë informacion, drejt vendngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor, i cili pasi ka marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje ka bërë të mundur identifikimin e autorit që dyshohej të ishte Eljon Hato.
Njëkohësisht, gjatë pyetjes së dëshmitarëve në lokal, për momentin e fillimit të grindjes mes të rinjve, është mësuar se mes dy tavolinave që ndodheshin pranë njëra-tjetrës ka pasur një debat, por askush nuk mbante mend se cili ka qenë shkaku i ngatërresës.
Kjo ngaqë palët kanë qenë nën efektin e alkoolit dhe nuk kanë dhënë dëshmi mbi fjalët që palët kanë lëshuar ndaj njëri-tjetrit. Nga këqyrja e vendit dhe e tavolinave në lokal, grupi hetimor ka konstatuar se në dy tavolinat ishin konsumuar rreth 30 shishe birrë për hark kohor prej 4 orësh.
Sipas policisë, ky fakt tregonte se palët kanë qenë nën efektin e alkoolit kur janë zënë mes tyre. Policia kishte të dhëna dhe prova të sigurta në atë kohë se autor i ngjarjes ishte Eljon Hato.
Për gati një vit nga ajo ngjarje, Hato ishte person në kërkim, derisa mbrëmjen e 2 majit të vitit 2015, u arrestua nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit, bashkë me vëllain e tij, Elkjer Hato.
Policia tha zyrtarisht në atë kohë se, në orët e mbrëmjes, efektivat e Forcës Operacionale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, kishin siguruar informacione në rrugë operative se në rrugën Laç- Patok, në afërsi të shinave të trenit po qarkullonin me makinë dy vëllezër të shpallur në kërkim.
Njëri prej tyre ishte i dyshuar për vrasje me dashje dhe plagosje të rëndë me dashje. Menjëherë pas informacionit, forcat Operacionale kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e tyre.
Policia e Shtetit
Konkretisht: Eljon Hato, 25 vjeç, banues në Kiras, Shkodër, me masë sigurie “Arrest në Burg”, për veprat penale, “Vrasje me dashje”, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Armbajtie pa leje”; Elkjer Hato, 31 vjeç, banues në Kiras, Shkodër, i dënuar nga Gjykata e Apelit me 4 vite e 8 muaj Burg, për “Armbajtie pa leje”, i cili ka për të bërë edhe 3 vite e 8 muaj burg , pasi ka bërë një vit burg dhe ka dalë me vendim të Gjykatës së Shkodrës. Të dy vëllezërit qarkullonin me automjetin tip “Benz” me targa AA 005 AB, që drejtohej nga shtetasi Elkjer Hato. Eljon Hato , dyshohet se më datën 11.05.2014, në një lokal në fshatin Zues, Shkodër, ka varë me armë zjarri shtetasin Indrit Ylli dhe ka plagosur rëndë shtetasin Jetmir Molla, banues në Dobraç Shkodër. Të dy personat e kapur nga Forca e Posaçme Operacionale janë transportuar për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër për kryerjen e veprime të mëtejshme.
Pas arrestimit, Eljon Hato u izolua në Burgun e Shënkollit në Lezhë, si i dyshuar për vrasje. Por pak kohë më vonë, në skenë del një tjetër personazh, si autor i dyshuar për këtë ngjarje dhe akuzat në ngarkim të Hatos bien. Ndonëse nga ana e grupit hetimor pretendohej se ishin siguruar prova e dëshmi, që e implikonin Haton në vrasjen e datës 11 maj 2024 në Zues të Shkodrës, papritur dikush tjetër shpallet në kërkim, madje disa vite më vonë edhe arrestohet si autor i kësaj ngjarje. Ai ishte Sadetin Erkoçeviq, i cili madje ishte dënuar në mungesë me 20 vjet burg për vrasjen, në një proces që kishte kaluar tërësisht në heshtje.
Ky person u arrestua në Tiranë më 15 gusht të vitit 2019, madje Policia tha në atë kohë se ai po përgatitej të kryente një tjetër vrasje në kryeqytet.
Gentian Mullai, zëdhënës i Policisë
Falë bashkëpunimit me qytetarët, parandalohet një vrasje dhe vihet në pranga një person shumë i kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, njoftoi dje Policia në konferencë për shtyp. 28- vjeçari Erkoçeviq, i cili njihet edhe me mbiemrin Lisi, është një personazh i njohur për Policinë e Shkodrës, pasi në vitin 2014 është përfshirë në një ngjarje me një të vdekur dhe një të plagosur dhe është dënuar si autor me 20 vite burg në total.
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Shkodrës, sherri me pasojë vrasjen e një personi ka nisur për një balerinë dhe ka ndodhur në 11 maj 2014, te lokali “Enigma”, në fshatin Zues, ku ka pasur muzikë live. Ngjarje për të cilën më parë ishte akuzuar dhe ishte çuar në burg Eljon Hato.
Në vendimin e gjykatës thuhet se, pasi kanë pirë disa pije, viktima Indrit Hylli ka marrë një balerinë nga tavolina e Erkoçeviq dhe ka kërcyer me të. Pas këtij momenti ka nisur sherri, i cili ka përfunduar me përdorimin e armës. Dëshmitë e personave në vendin e ngjarjes dhe një përgjim telefonik kanë qenë provat më të forta të Prokurorisë së Shkodrës për të vërtetuar fajësinë e Sadetin Erkoçeviq.
Kështu, pas ngjarjes është vënë në përgjim vëllai i të pandehurit Eljon Hato, Eridon Hato, i cili ka komunikuar me një person tjetër, i cili quhet Senad Selhani.
Eridon Hato: O a e di kush e ka bo vrasjen. Nuk e ka bo vrasjen Esmeraldo, plagosjen ka bo, po vrasjen e ka bo ai djali i Satkos, si e ka emrin ai…
Senad Selhani: Po e di mor burrë se më ka shku menja, mos ki marak
Eridon Hato: Mirë pra, po njaj e ka bo si e ka emrin ai dreqi…
Senad Selhani: Po a ka dalë ai a?
Eridon Hato: Sabedin, a e ka Sabedin apo Tin? A e ka Sabedin?
Senad Selhani: Sadedin e ka.
Eridon Hato: Sadedin, si e ka mbiemrin ?
Senad Selhani: Lisi.
Eridon Hato: Lisi apo Erkoçoviq?
Senad Selhani: Ç’a di noshta e ka ndrru….
Eridon Hato: Nuk e di o Senad pash zoten, se tamam tamam ato kanë thanë ka kenë Esmeraldo Hato në ket lokal demek, që ka ndodhë ngatërresa, se Timin (Sadetin Erkoçeviq/Lisi) s’e ka njoftë kush aty e i ka metë Esmeraldos, se Esmeraldoja ashtë mo që është ma i njoftuni. Timi s’njifet e ka dalë emni i Esmeraldos.
Kjo bisedë e përgjuar, duket se ka qenë një provë në duart e Prokurorisë për të ngritur akuzë ndaj Sadetin Erkoçeviq e nga ana tjetër ka shërbyer për të lehtësuar pozitat e Eljon Hatos, që rrjedhimisht u lirua nga burgu, duke sjellë fitoren e tij të parë në betejën me drejtësinë.
Megjithatë, gjatë kohës që qëndroi në burgun e Shënkollit, kontaktet me të dënuar aty, konfliktet që lindën në atë kohë, hapën një tjetër betejë për të.
Policia në vitin 2015 njoftoi se Eljon Hato kishte porositur nga burgu një person, për të vrarë mjekun radiolog të spitalit të Shkodrës. Agron Terolli ka shpëtuar në momentin e fundit nga vdekja e sigurt, pasi policia ka ndërhyrë befasisht, duke neutralizuar autorin. Osman Malja, vetëm 21 vjeç në atë kohë, ishte personi që do të ekzekutonte me kallashnikov mjekun. Pas gati 24 orësh nga arrestimi i Maljas, Policia ka hedhur dritë mbi këtë vrasje me porosi, të mbetur në tentativë. Sipas njoftimit zyrtar mësohej se shënjestra e atentatit ka qenë mjeku radiolog i spitalit rajonal të Shkodrës Agron Terolli dhe se vrasja kishte si pistë hakmarrjen. Osman Malja do të kryente ekzekutimin e mjekut 56-vjeçar, i porositur dhe i paguar nga Esmeraldo (Eljon) Hato, që në atë kohë ishte ende i burgosur në Lezhë për vrasje.
Policia e Shtetit
Pas një ndjekje hetimore proaktive të bërë nga struktura të specializuara, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ju informojmë se në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Osman Malja, 21 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas mbahej nën vëzhgim prej disa kohësh nga Policia, e cila kishte në kontroll të plotë lëvizjet dhe veprimtarinë e tij për vrasjen e porositur të mjekut A.T. Forcat e Specializuara të Policisë kanë ndërhyrjes duke neutralizuar dhe arrestuar autorin në momentin që ky tentoi të hapë zjarr në drejtim të objektit të sulmit (mjekut A.T) me armën e tij tip kallashnikov, të kamufluar në një çantë sporti.
Policia tha në atë kohë se në momentin e ndërhyrjes, autori ka tentuar të reagojë edhe ndaj forcave policore por kjo është bërë e pamundur falë veprimeve të shpejta policore në neutralizimin dhe arrestimin e tij. Gjatë këtij operacioni autori Osman Malja ka mbetur i plagosur dhe ka marrë ndihmën e nevojshme në spital, pa rrezik për jetën.
Policia e Shtetit
Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Osman Malja kishte si qëllim vrasjen e një mjeku në Spitalin Rajonal Shkodër. Kjo vrasje ishte e porositur nga burgu, nga shtetasi Eljon (Esmeraldo) Hato 31 vjeç, i cili ndodhet i arrestuar në ambjentet e I.E.V.P. Lezhë, për “Vrasje”. Në cilësinë e provës materiale, autorit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatike me fishek në gojë dhe një krehër me 15 fishekë. Në hetim për këtë çështje gjithashtu janë edhe shtetasit Eljon (Esmeraldo) Hato si dhe shtetasi Sh.Rr, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në përgatitjen, porositjen dhe vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit A.T, mjek në Spitalin Rajonal Shkodër.
Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Osman Malja kishte si qëllim vrasjen e mjekut Terolli. Por, ajo çfarë dihej në atë kohë nga grupi hetimor ishte vetëm fakti se porositësi i krimit ishte Eljon Hato. Motivet mbetën gjatë të pasqaruara. Pas verifikimeve të kryera nuk rezultoi që familja e mjekut Terolli të kishte ndonjë lidhje me vetë të burgosurin Hato apo me familjarë të tij.
Po ashtu, nuk kishte lidhje as me viktimën vitit 2014, Indrit Ylli, i cili u qëllua për vdekje, për të cilin ishte akuzua Hato. E vetmja lidhje ku Prokuroria i përqendroi hetimet ishte ajo e plagosjes së kryer nga djali i mjekut në vitin 2013. Reinold Terolli, në atë kohë 23 vjeç, plagosi një person në qytetin e Shkodrës. Për shkak të goditjes me armë zjarri, i lënduari mbeti i paralizuar nga gjymtyrët e poshtme. Terolli u arrestua në Tiranë pak ditë pas ngjarjes, duke u dërguar në burgun e Lezhës, aty ku ndodhej edhe Eljon Hato.
E pikërisht këtu mund të ketë nisur konflikti mes të burgosurve. Madje në atë kohë, pati informacione që Reinold Terolli kishte pasur një përplasje me një tjetër të dënuar në burg, një person nga Mamurrasi, me të cilin Hato kishte miqësi dhe porosinë e vrasjes së mjekut në Shkodër, e kishte bërë si një nder për shokun e burgut. Por kjo nuk u sqarua asnjëherë zyrtarisht.
Por pavarësisht akuzave të rënda, si një porositës vrasjeje nga burgu, Eljon Hato ia doli sërish të fitojë një tjetër betejë me drejtësinë, duke lënë qelinë shumë shpejt. Të paktën kështu rezultoi në vitin 2018, kur emri i tij doli sërish në skenë, në një përplasje të përgjakshme në Tiranë, kur ndodhej në shoqërinë e Ervis Martinajt. Ngjarje për të cilën do flasim në vijim.
Aktualisht, Eljon Hato ka një betejë të hapur me Prokurorinë e Posaçme. Ai është një ndër personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, që u finalizua në korrik të vitit 2023 nga SPAK. Në këtë dosje, ai akuzohet për tentativën e vrasjes së Taulant Pepës, por edhe për aferat me ish-prokurorin e Shkodrës, Xhevahir Lita, i arrestuar gjatë të njëjtit operacion.
Paraditen e 21 shkurtit të vitit 2021, Taulant Pepa, një ish-i dënuar për tentativë vrasjeje u qëllua nga 2 persona me pistoleta në Shkodër. Në atë kohë Policia shpalli në kërkim Eljon Haton, Shkëlzen Xhenjen dhe vëllain e tij Sehar Xhenjen. Kamerat e sigurisë vërtetuan se Hato dhe Xhenja dalin nga një makinë dhe hapin zjarr ndaj Pepajt. Shkak i kësaj ngjarjeje ishte fakti se për dy vite me radhë, Pepa, Hato dhe Shkëlzen Xhenje konfliktoheshin në burgun e Shën Kollit për motive banale. Secili prej tyre, kërkonte të krijonte territorin e vet brenda 4 mureve. Të paktën kështu u tha në atë kohë.
Ndërsa tani, kjo ngjarje është në hetim nga SPAK, si një ndër atentatet e dështuara të realizuara nga grupi Bajri. Madje në lidhje me këtë ngjarje po verifikohen 2 efektivë policie, pasi dyshohen se kanë bashkëpunuar për të shpëtuar nga arrestimi atentatorët që tentuan të vrisnin Taulant Pepajn.
Në bisedat e përftuara nga aplikacionet “EncroChat” dhe “SKY”, ish-prokurori i Shkodrës dhe Kukësit, Xhevahit Lita, së bashku me 2 oficerë Policie rezultojnë se favorizojnë Eljon Haton, Shkëlzen Xhenjen dhe Arsad Bashlin për të mos u marrë të pandehur për ngjarjen e vitit 2021. Madje, prokurori dhe 2 punonjësit e policisë do shpërbleheshin për “punën” e bërë me 55 mijë euro, 50 mijë euro për Litën dhe 5 mijë euro për efektivët. Në dosje del në dritë fakti se 2 oficerët kanë hequr nga fashikulli i çështjes hetimore të atentatit ndaj Taulant Pepës dhe Kolec Markut një përgjim të Pepës, që përmend Bardhyl Mavrajn, i cili është vëllai i Safet Bajrit.
Në një prej bisedave të përmendura në dosje, prokurori Xhevahit Lita, Arsad Bashli dhe Bardhyl Mavraj diskutojnë se si do të manovrojnë Eljon Haton dhe bashkëpunëtorët e tij për të mos u kapur nga policia.
Bardhyl Mavraj: Shife se mendoj që të ka ra në vesh për atë që të ka kalu ty. Jo, telefoni i jemi, veç unë e kam dhe sms i fshij direkt mbas bisedës. Ajo te karburanti aty që është makina jeme aty në xhiro dmth, është aksident.. Dhe problemi është që çdo gja e merr përsipër ai që ka dalë me ftyrë…
Bardhyl Mavraj: Po, Benzi… Por problemi është që makinën e kam në emër të nipit dhe nipi ka ken në shpi, fjet me mu. Ajo pjesë sqarohet se nipi thotë që ja kam dhanë makinën ati Shkëlzen Xhenjes kur të jetë momenti. Por problemi është që duam të heqim aty Haton nga kjo punë sepse kamerat për të janë të padallueshme. Për Haton dhe kët nipin kur të dush, që ka makinën në emër të tij me dhanë deklaratën e tij dmth që ja ka dhënë makinën atij. Por më thuj ti ç’a me ba dhe do njeku udhëzimet që me jep ti.
Xhevahir Lita: Kujdes me këtë çështje se është zjarr puna. Vetëm rri mos fol me asnjëri. Të gjithë janë në ….
Ajo çfarë le të kuptohet prokurori Xhevahir Lita, është duhet të bëjnë kujdes, pasi të gjithë personat, për të cilët Mavraj po interesohet janë në përgjim. Gjatë bisedës, Bardhyl Mavraj shpjegon edhe se cilët persona kanë marrë pjesë në ngjarjen e datës 21 shkurt, pra plagosjen e Taulant Pepajt, duke përmendur konkretisht emrat e Astmer Bilalit dhe Eljon Hatos. Ndërsa për nipin, të cilin e identifikon si Arsad Bashli, shprehet se nuk ka qenë në vendngjarje.
Bardhyl Mavraj: Dmth unë du me hek Astmerin, Haton dhe nipin. Dhe makinën, meqë nipi deklaron që ia ka dhanë ai Shkelzenit makinën. Nipi e ka emrin Arsad Bashli. Por kete e kam edhe në kamera që ka ken në shpi me mu atë natë dhe kemi dal ne nesër. Meqë ishte ngjarja kam rujt kamerat dhe kemi kur të dush ti kët provë në dispozicion.
Xhevahir Lita: Tani kuptoje, janë 50 vetë në … Mos fol më për këto gjëra, rri. Vetëm thuaj s’di gjë dhe nuk merrem fare me këto. Ok po mos fol në telefon.
Pas bisedës me prokurorin Lita, Bardhyl Mavraj komunikon me Eljon Haton, të cilit i thotë se për të zgjidhur këtë çështje, janë kërkuar një shumë më e madhe se 23 mijë euro. Eljon Hato shprehet se nuk mund ta përballojë këtë shumë, pasi ka për të dhënë 5 mijë euro në Polici.
Eljon Hato: Më vdekshin vlleznit hyn në tokë ky muhabet. Pasha Allahun e madh unë nuk kam mundsi ma vlla me aq lek për Zotin… Shumë paska kërku. Për shpirt t’babës nuk e vë në dyshim ma vlla po nuk këna munsi me i pagu për Allah. Nuyk e di vlla, po fol vetëm për Ersaldin edhe për Asmerin vlla, me mujt me i hek ata. Unë nuk kam më vdektë nipi… s’kena ç’a me ba pasha Zotën.
Eljon Hato: Unë 23 euro i kam vlla. Qysh sonte t’i bi vlla. 0 lek mes për kry të nipit. Unë ato t’i bi qysh sonte. Diskutoje edhe me Asmerin i herë vlla, që ta mbyllim si muhabet, se si dona me ba. Unë s’kam munsi ma për Allah. Se këna edhe 5 eurot e Policisë me çu. Po ku ti bi vlla, te pallati apo te vila?
Eljon Hato: O vlla a ke fol që t’ja lajm vetëm Zenit, se mos të futet me gjet at tjetrin. Po ideja asht se me na shpall në kërkim ata, na i merr lekt kot për Zoten vlla. Se po qe puna për me nejt në kërkim, ma mir rrim kshu e mbyllim në gjykatë. Se punën ma të madhe na e kanë kry ata të Policisë vlla, me than at që asht. Edhe sa lek dona me i dhanë, 5 euro si me ken tu u tall. Po puna asht të paktën kur të na i marrin të na japin garanci që na mbyll punë. Pranej po them. Se nipin tem s’e kanë në listë hiç. Kujtojnë që asht një djalë prej Kirasit. S’e kanë idenë kush ka ken.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga këto biseda të zhvilluara në SKY, rezulton që Elion Hato ka marrë pjesë në ngjarje dhe se punonjës të Policisë kanë kryer veprime duke lehtësuar pozitat e tij në atë krim.
Më pas, gjatë analizimit të bisedave mes Bardhyl Mavrajt dhe Arsad Bashlit, rezulton se në Tiranë, në një hotel pranë Sanatoriumit është dorëzuar një shume prej 30 mijë eurosh. Dhe duket se më pas është zgjidhur gjithçka. Eljon Hato është përjashtuar nga kjo histori.
Bardhyl Mavraj: Hatoja do dalë nga kërkimi. Vlla fola me Xhevin dhe i asht duk pozitiv ky shoku dhe i ka lan porosi me pyt këtë jav Pepën edhe Bashlin dhe pasi të pytet Bashli lehet i lirë direkt me tha. Sa ti tregojnë qe kujt ja ka dhanë makinën dhe sa të pytet Pepa për Haton del nga kërkimi edhe Hatoja.
Xhevahir Lita: Pepa të thotë që Hato nuk ka qenë në vendngjarje.
Bardhyl Mavraj, bisedon me prokurorin Xhevahir Lita, ku ky i fundit i tregon se ka lënë porosi që të kryhet deri në fund të javës (dyshohet për veprim hetimor) dhe se i ka thënë të pyesë djalin, Arsad Bashlin se kujt ia ka dhënë makinën dhe ta lë të lirë.
Xhevahir Lita: I thashë nëse nuk e tregon se kujt ia ka dhënë, të bej arrest në vend… Do e pyes atë të dëmtuarin nëse ka qenë Hato aty apo jo dhe ai do thotë që Haton e njoh po nuk ka qenë në vendngjarje…miku ta takojë Luanin, se ai i mbyll… Takoje Pepën e thuaj nëse të pyesin përsëri thuaj që Hato nuk e kam parë në vendngjarje, as në qytet megjithëse e njoh……po kështu të thojë edhe për Bashlin….
Pra, për atentatin ndaj Taualant Pepës, planifikohet që ky i fundit të deklarojë në Prokurori se nuk ka qenë Eljon Hato ai që e ka goditur me pistoletë, edhe pse më vonë hetimet provuan të kundërtën.
Ndërkohë gjatë një komunikimi mes një personi tjetër dhe Bardhyl Mavrajt, ai i tregon këtij të fundit lidhur me një takim që ka pasur me punonjës policie dhe e vë në dijeni që, Taulant Pepa në përgjim telefonik rezulton se ka përmendur emrin e Bardhit (Bardhyl Mavraj) dhe se këtë përgjim, punonjësi policisë, me të cilin është takuar do e heqë nga fashikulli.
Më 23 mars të vitit 2021, prokurori Xhevahir Lita ka regjistruar procedim penal për Shkëlzen Xhenjen, për veprat penale “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje” dhe më pas është dërguar në gjyq. Për Prokurorinë e Posaçme, nga aktakuza e akteve të administruara, dyshohet se prokurori Lita ka konsumuar elementë të veprës penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve e funksionarëve të drejtësisë. Personat nën hetim, Eljon Hato, Arsad Bashli dhe Bardhyl Mavraj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke i dhënë shuma monetare Litës, kanë konsumuar veprën penale të “korrupsionit aktiv”. Hato dhe Bashli, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen për “vrasje me paramendim” mbetur në tentativë.
OPERACIONET E DËSHTUARA
Pas shpalljes në kërkim, Policia e Shtetit ka zhvilluar disa operacione për arrestimin e Eljon Hatos, por të gjitha kanë rezultuar të pasuksesshme.
Mbrëmjen e 16 janarit të vitit 2024 rreth 50 forca të Policisë së Shkodrës, FNSH por edhe një grup i forcave speciale RENEA zhvilluan një operacion duke nisur me një kontroll të befasishëm në fshatin Grudë të Shkodrës për arrestimin e tij, por u kthyen duarbosh. Ai nuk u gjet në banesën e të vëllait, ashtu siç ishte marrë informacion. Megjithatë pati dyshime se Hato mund të ishte sinjalizuar në kohë dhe kishte arritur të largohej, duke lëshuar dy qentë, njëri prej të cilëve është vrarë dhe tjetri është plagosur.
Policia kishte të dhëna se Eljon Hato, lëvizte përreth zonës dhe mund të ishte në banesën e të vëllait në Grudë, pasi shtëpinë e tij e ka në Kiras, por nuk qëndronte më aty. Ndërhyrja e befasishme e më shumë se 50 forcave policore, duke kaluar mbi murin rrethues dhe duke prerë telat me gjemba, për më tepër vrasja e njërit prej qenve, nxiti reagimin e vëllait të Hatos, Elkjer Hato. Ai deklaronte se Policia ka reaguar dhunshëm si asnjëherë më parë, pa mandat kontrolli, si dhe i vrau kafshët.
Megjithatë, Elkjer Hato, që është gjithashtu një person me precedentë e madje në një rast është arrestuar bashkë me vëllain e tij, pretendon se nuk ka asnjë ide se ku fshihet Eljon Hato. Megjithatë thëniet e tij merren me rezerva nga ana e Policisë.
Por ky nuk ishte operacioni i vetëm i dështuar për kapjen e Eljon Hatos. Një tjetër operacion u zhvillua nga forcat speciale më 6 shkurt të vitit 2024, gjatë të cilit Hato nuk u gjet sërish, por u arrit të arrestohej miku i tij, edhe ai i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Metamorfoza”. Policia vuri në pranga 33-vjeçarin Shkëlzen Xhenje, i konsideruar person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Kjo ishte arsyeja se për prangosjen e tij në banesën ku fshihej, në fshatin Kuç të Shkodrës, krah forcave të policisë vendore shkuan dhe forcat speciale RENEA nga Tirana. Ndërkohë SPAK e akuzon në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Sipas SPAK konsiderohet si mik i Eljon Hatos dhe Ervis Martinajt.
Mbrëmjen e 15 marsit të vitit 2024, një tjetër informacion për Eljon Haton, e çoi Policinë në zonën e Saukut në Tiranë. Por ai sërish nuk u gjet, por vetëm një makinë, që në fakt rezultoi se ishte në pronësi të një tjetër personazhi, që po ashtu ishte i njohur për lidhjet me Ervis Martinajn.
Në një njoftim zyrtar, policia e Tiranës tha se kishte zhvilluar operacionin “Sundimi i ligjit”, që synonte kapjen e armëve pa leje, por pa arritur të arrestojë askënd. Armët, 2 pistoleta, 1 automatik dhe municione luftarake u zbuluan brenda një automjeti “Benz Mercedes” të parkuar në një pallat në Sauk, në të cilin dyshohej të ishte edhe Eljon Hato. Në makinë, efektivët gjetën edhe një bllokues valësh. Nga verifikimet, rezulton se automjeti është në pronësi të Emiljano Ninës 28 vjeç, kushëriri i Ervis Matinaj. I riu në atë kohë ndodhej në paraburgim, pas aksidentit të frikshëm në gushtin e vitit 2023 te Liqeni Artificial kur makina luksoze e shokut të tij që ai drejtonte, një BMV X6, fluturoi mbi digën e liqenit. Nga informacionet e siguruara në rrugë operative, policia deklaronte se kjo makinë dyshohet se përdorej nga një tjetër person.
Edhe në operacionet e fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025 që RENEA ka zhvilluar në Shkodër, është synuar po ashtu arrestimi i Eljon Hatos, por të gjithë janë mbylluar pa rënë në gjurmët e tij. E duket se ai është një hap parë dhe madje merre edhe informacion në kohë. Gjithçka është në monitorim. Ashtu si në zonën e Dobraçit, kur të gjitha lëvizjet shihen nga kamerat e sigurisë, që vëzhgohen 24 orë nga persona të caktuar, të cilëve në një vend të posaçëm monitorimi, nuk u shpëton asgjë. Dhe në fund rezultati është përherë i njëjtë.
TAKIMET ME VDEKJEN
Si në liri ashti edhe në arrati, Eljon Hato, është takuar me vdekjen në tri episode. Madje në dy raste ka luftuar me të e megjithatë ka mbijetuar.
Në përplasjen me armë të mbrëmjes së 4 tetorit 2018, në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, Eljon Hato, në atë kohë 28 vjeç, mbeti i plagosur rëndë kur ishte në shoqërinë e Ervis Martinajt. Pak orë pas ngjarjes, burime nga Policia thanë se ai ishte shtetasi Laert Hasa. Por në fakt identiteti i tij u zbulua më vonë, pasi këtë emër e përdorte për shkak të të shkuarës së tij kriminale. Policia tha se i plagosuri ishte shtetasi Eljon Hato, apo Esmerald Hato, nga Shkodra, ish-i dënuar për vrasje. Ai u dërguar në spital afro 40 minuta pasi kishte ndodhur ngjarja. Mjekët thanë se Hato kishte plagë të shumta arme zjarri në bark, stomak, zorrë, mëlçi, madje edhe në gojë. Përveç plagëve të shumta në trup, pasi plumbat i kishin dëmtuar edhe disa organe jetësore, i plagosuri kishte humbur edhe shumë gjak. Por një ditë më pas gjendja e tij shëndetësore paraqitej më e stabilizuar, edhe pse mbahej në reanimacion në terapi intensive. Në atë ngjarje u plagos edhe Ervis Martinaj.
Tri ditë pas ngjarjes, Gjykata e Tiranës, vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditë për Ervis Martinaj dhe “arrest me burg” Eljon Haton. Të dy këta persona ndodheshin nën kujdesin e mjekëve, njëri në një spital privat dhe tjetri në Spitalin e Traumës, pasi mbetën të plagosur gjatë përplasjes me armë, ku u vra miku i tyre, Fabian Gaxha.
Zeni Qinami, avokati i Hatos
Ishim në seancë gjyqësore te Spitali Ushtarak në Tiranë. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit me burg për Haton. Unë kërkova në seancë që gjykata të vlerësojë si të paligjshëm arrestimin në flagrancë, pasi nuk janë kushtet dhe rrethanat për të caktuar këtë masë sigurimi. Nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm të mbështetur në prova. Ai akuzohet për një vepër penale të rëndë. Asnjëra nga pretendimet e prokurorisë për ne si mbrojtje nuk janë të bazuara në ligj. Ai është në gjendje spitalore të rëndë për jetën. Kërkova nga mjekët të shtojnë kujdesin për klientin tim. Gjendja është e rëndë, ndodhet në reanimacion. Nuk është në gjendje të flasë. Provat që paraqiti prokuroria për mua nuk janë të mbështetura në ligj. S’ka as shenjë gishtash, as gjurmë të qitjes. Pamje filmike nuk ka pasur. S’më duket asnjë provë bindëse për të provuar akuzat e prokurorisë. Ai është i pafajshëm në këtë situatë.
Ngjarja e ndodhur më 4 tetor 2018, në orën 21:29 prishi paqen e vendosur me një marrëveshje të heshtur mes dy grupeve kriminale në Tiranë. I pari që drejtohej nga Ervis Martinaj dhe i dyti nga Ervin Mata.
Kjo përplasje me armë, në lokalin e njohur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, shkaktoi një të vrarë e dy të plagosur. I plagosur mbeti edhe vetë Ervis Martinaj që më pas edhe u arrestua. Por për pak kohë. Ashtu sikurse gjithë të tjerët që qëndruan fillimisht në arrati e më pas u vetëdorëzuan njëri pas tjetrit. Pas disa javësh në qeli, të gjithë u lanë të lirë. Duke përfshirë edhe Ervin Matën e Mevjol Bilon, i cili ishte personi që shkrepi armën. Sot të gjithë protagonistët janë jashtë. Ndërsa për fatin e Ervis Martinajt, më shumë se dy vitesh nga denoncimi si i zhdukur, nuk dihet ende asgjë.
Prej asaj datë është folur për një armiqësi mes Martinajt e Matës. Në dëshminë e dhënë për atë ngjarje, Ervis Martinaj tregonte që asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Ervin Matën.
Dëshmia e Ervis Martinajt për ngjarjen e vitit 2018
“Unë, si puna e atyre dy çunave njoh gjithë Tiranën. Në këtë ngjarje kanë qenë palë në konflikt dy persona që kanë hyrë nga jashtë. Personat që kanë qenë të pranishëm fillimisht në lokal nuk kanë lidhje me ngjarjen. Kur unë po pija me Ervin Matën dhe Redin kanë hyrë dy persona nga jashtë lokalit. Njërin prej tyre e njoh, quhej Fabi, ndërsa tjetrin nuk e njoh dhe ata të dy kanë pasur konflikt me një tavolinë tjetër. Të gjithë të tjerët në lokal i kam miq dhe s’kam pasur asnjë konflikt me ta. Kur ata po konfliktoheshin, unë jam futur në mes për t’i ndarë dhe besoj që jam plagosur pa dashje nga ‘kokëmadhi’ (i referohet Mevjol Bilos). Ai më gjuajti me refleks, pasi nëse ai do të më vriste, i kishte të gjitha mundësitë, pasi unë në tokë i shtrirë isha. Nipçja në ato momente (Eljon Hato), i cili ishte në tavolinë me mua i tha ‘kokëmadhit’: ‘Mos, çfarë bëre, t’u thafshin krahët’ dhe ai në këto momente është goditur. Vetëm oficeri komando ka qëlluar. Unë u hodha në mes, isha me gotë vere në dorë për të qetësuar situatën”.
Në muajin shkurt të vitit 2019 Gjykata ndryshoi masën e sigurisë, duke e liruar nga burgu shokun e Ervis Martinajt, Eljon Haton, i cili u plagos rëndë nga ngjarja e mbrëmjes së 4 tetorit 2018. Ai u la i lirë kundrejt garancisë pasurore prej 1 milion lekësh të rinj, për t’u hetuar në gjendje të lirë. Përveç garancisë pasurore, në marrjen e vendimit Gjykata mori parasysh edhe faktin se Hato mbeti i paralizuar nga përplasja me armë. Eljon Hato akuzohej nga prokuroria për vrasje të mbetur në tentativë. Për disa ditë me radhë pas ngjarjes, mjekën e mbajtën Haton në terapi intensive, ndërsa i dhanë shumë pak shanse, për shkak se kishte plagë të rënda dhe i ishin dëmtuar disa organe. Në kohën që masa e sigurisë për të ndryshoi, Eljon Hato ndodhej duke marrë mjekim të specializuar në një spital në Turqi.
Ndërsa një muaj pas tij, i njëjti vendim u dha nga Gjykata edhe për Ervis Martinajn, që deri në atë kohë ishte i vetmi që mbahej në burg për ngjarjen e 4 tetorit dhe për një hetim pasuror që nisi ndaj tij. Edhe ai përfitoi lirinë pas garancisë pasurore.
Kjo ngjarje, shënoi momentin kur emrat e Ervis Martinajt dhe Eljon Hatos u lidhën bashkë pazgjidhshmërisht. Madje për disa vite me radhë, Hato konsiderohej si një nga njerëzit më të besuar të Martinajt. Jo vetëm për shkak të miqësisë, por edhe një lidhje farefisnore. Nëna e Eljon Hatos është e afërme e Ervis Martinajt. Kjo madje doli në skenë edhe pak kohë pas zhdukjes së Martinajt, kur Prokuroria e Posaçme kërkoi sekuestrimin e pronave të tij. Mes dhjetëra pasurive që iu konfiskuan Ervis Martinajt, ranë në sy dy prona që ai ia kishte dhuruar nënës së Eljon Hasot, Bisere Hatos. Konkretisht:
Pasuria e llojit “Arë” me sipërfaqe 120 metër katror në Tiranë dhuruar nga Ervis Martinaj shtetases Bisere Hato dhe pasuria e llojit “Truall + Ndërtesë”, me sipërfaqe 580 metër katror dhe ndërtesë me sipërfaqe 123.3 metër katror në Tiranë dhuruar nga Ervis Martinaj shtetases Bisere Hato.
Pas ngjarjes në ish-Bllok, ku fillimisht u vra Fabian Gaxha, edhe të tjerë miq e njerëz më të afërt të të Martinajt, u eliminuan njëri pas tjetrit. Fillimisht Bujar Lika, më pas Santiago Malko, Erigers Mihasi, Can Karriqi, por edhe kushëriri i tij Brilant Martinaj. I vemti që supozohet të jetë ende gjallë, pa çka se ka informacione që mbeti i plagosur rëndë në masakrën e Dobraçit, 30 tetorin e vitit 2024, është Eljon Hato.
Është pikërisht kjo ngjarje, ku Hato pretendohet të jetë takuar edhe një herë tjetër me vdekjen, pasi gjendej në makinën e atentatorëve, të cilët qëlluan për vdekje Hamza Licin, vëllain e Ibrahim Licit, Arlind Bushatin dhe ku mbetën të vdekur edhe çiftit Bashkim dhe Flutura Basha që po udhëtonin me motor.
Dosja e ngjarjes që mori emrin Masakra e Dobraçit, fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, por më 11 shtator, organi i akuzës atje shpalli moskompetencë dhe çështja tashmë është në duart e SPAK, pasi ka dyshime se vrasja e 4-fishtë është vepër e një grupi të strukturuar kriminal.
Objektiv i atentatit dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, por edhe një person tjetër që mendohet se udhëtonte me ta në makinë dhe që dita ditës pas hetimeve ka dyshime të ketë qenë Ibrahim Lici. Prezenca e tij në automjet nisi të diskutohej pas pamjeve që u publikuan në media, ku një person i gjakosur shihej pranë trupit të pajetë të Hamza Licit. Burimet konfirmuan se ky person ishte pikërisht Ibrahim Lici, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer ilegalisht në Shqipëri. Ai supozohej të ishte në Turqi, nën masën e “arrestit të shtëpisë”, ku ishte në pritje të ekstradimit, duke qenë person i kërkuar nga drejtësia shqiptare. Megjithatë, as efektivët e Shqiponjave që ndodheshin shumë pranë tij në vendngjarje, nuk arritën të vepronin. Veprim që në fakt u kushtoi prangat 4 efektivëve, të cilët më vonë u liruan nga Gjykata.
Disa javë pas atentatit, kur dosja ishte në duart e SPAK, prokurorët e Posaçëm, i kërkuan Gjykatës leje për të ushtruar kontroll në zonën e “Dobraçit”, ku jetojnë anëtarët e fisit Bajri, të njohur për hasmërinë me familjen Lici. Një operacion i nisur në orët e para të mëngjesit të datës 12 dhjetor 2024, solli rrethimin e Shkodrës nga forcat speciale RENEA, që kryen veprime në zbatim të urdhrit të SPAK. Kontrolle u kryen edhe në Kiras, ku jeton familja Lici, por edhe në disa zona përreth. Megjithatë operacioni u mbyll me sekuestrimin e 5 automjeteve, një e blinduar me targa ruse, si dhe një shumë parash e disa telefona. Safet Bajri u shoqërua dhe u la i lirë pak më vonë e po ashtu edhe disa persona të tjerë. Ndërsa askush nuk ra në gjurmët e Ibrahim Licit. Megjithëse burimet thonë se shumë shpejt do të ketë emra konkret personash të akuzuar për “Masakrën e Dobraçit”, viti 2024 u mbyll pa ndonjë të arrestuar.
Kjo ngjarje po hetohet bashkë me dy procedime të tjera që duket se SPAK do i bashkojë në një të vetëm. Fillimisht, në Policinë e Shkodrës, më 22 janar 2025 u vetëdorëzuan dy persona. Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët njihen në Shkodër si persona pranë fisit Bajri. Të shoqëruar nga avokati Sokol Tahiri, ata u paraqitën në Drejtorinë e Policisë, pasi ndaj tyre kishte një masë sigurie “arrest me burg” nga Prokuroria e Shkodrës, për plagosjen e Vladimir Bruçit. Më 3 qershor të vitit 2024, pesë persona dhunuan me sende të forta Vladimir Bruçin, për një vend parkim, në mes të ditës në qytetin e Shkodrës. Për këtë ngjarje, më 4 qershor 2024, policia arrestoi edhe Edmond Sakicën, ndërsa në kërkim rezultojnë ende Samet Halluni, Arlind Kajoshi dhe Alban Bruçi.
Por teksa ndodheshin në qeli për këtë ngjarje, për Izmir Sakicën e Samuel Troshanin, vendoset një tjetër masë sigurie, kësaj here nga Gjykata e Posaçme. Ndërsa RENEA, me urdhër të SPAK zhvillon një operacion në Shkodër më 18 shkurt 2025. Një prej personave që pritej të shoqërohej ishte edhe Safet Bajri, por atë ditë nuk u gjet. SPAK urdhëroi arrestimin e 4 personave të dyshuar për përplasjen me armë në Bushat të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 23 gusht të vitit 2024.
Një ditë pas aksionit në Shkodër, Prokuroria e Posaçme dha informacion zyrtar, duke konfirmuar se operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit, ku u godit me armë automjeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica. Nga hetimet e zhvilluara rezulton ditën e ngjarjes, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, i cili ende nuk është ndaluar. bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës. Sipas SPAK Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim Aleksandër Prendi dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë. Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim Aleksandër Prendi. Për këtë ngjarje, Gjykata e Posaçme ka vendosur “arrest me burg” edhe për Andrea Prendin, por as ai nuk është arritur të arrestohet.
Por, burime nga grupi hetimor thonë se paralelisht me këtë procedim, për disa nga të dyshuarit dhe persona të tjerë, po kryhen hetime edhe në lidhje me Masakrën e Dobraçit. Madje deri në këtë fazë ka emra konkret personash të dyshuar që kanë marrë pjesë në atë ngjarje, por ende nuk janë mbledhur provat e nevojshme.
Edhe në ngjarjen e Bushatit, ka dyshime të arsyeshme se ka qenë prezent Eljon Hato edhe pse gjithçka është ende në hetim. Eljon Hato vijon të jetë në arrati. Por jeta në arrati, siç e thamë, kushton shumë më tepër sesa një jetesë normale. Një personazh si ai, që në bisedat në SKY me vëllain e Safet Bajrit, Bardhyl Mavrajn, betohet se nuk ka aq shumë para sa i kërkohet për të mbyllur një çështje, duket se fshehja në këtë formë, si një “ushtar i vetmuar”, është edhe më e vështirë. Atëherë kush e ndihmon dhe kush e financon Eljon Haton, që dikur “punonte” për Ervis Martinajn? Kjo mbetet ende e paqartë për Prokurorinë e Posaçme. Ashtu siç mbetet i paqartë fati i tij pas masakrës së Dobraçit, ku të gjitha provat e çojnë Prokurorinë tek dyshimi se ai është plagosur rëndë. Eljon Hato është një personazh që ndër vite është endur mes jetës dhe vdekjes, të cilën e ka përshëndetur disa herë. Profecia që jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër i përshtatet më së mirë. Të paktën për aq kohë sa nuk dihet asgjë për fatin e tij./ Emisioni Gjërat Tona