Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor ish-gjyqtarin Ilir Bashaj, duke e dënuar atë përfundimisht me 3 vite e 4 muaj burg. Po ashtu, ish gjyqtarit i është hequr për 5 vite e drejta për të ushtruar funksione publike.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 49, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Ilir Pashaj”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Paulin Çera dhe Artan Jahollari, me vendimin Nr. 19, datë 04.03.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Dalip Pashaj, për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Dalip Pashaj, për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Dalip Pashaj, për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/1, gërma “a” i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit Ilir Dalip Pashaj me një masë të vetme prej 5 (pesë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 3 (tre) vite dhe 4 (katër) muaj burgim.
Në aplikim të neneve 30/1, 35/1, 44/2 të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Ilir Pashaj, për të ushtruar funksione publike, për 5 (pesë) vjet, dënim i cili fillon të zbatohet pas vuajtjes së dënimit me burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në zbatim të nenit 36 të K.Penal, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të :
Pasurisë së paluajtshme të llojit apartament, regjistruar me nr.****, vol.****, faqe ****, Z.K. ****, ****, me sipërfaqe **** m2, rregjistruar në emër të shtetasit Sh.B, dhe 2. Pasurisë së luajtshme të llojit autoveturë të markës Mercedes Benz, Model E200CDI, me numër shasie ****, viti i prodhimit 2008, ngjyrë gri, me targa ****, i rregjistruar në emër të D.B.
Bazuar në nenin 190/1/ç të K.Pr.Penale, sendet e sekuestruara për këtë procedim: Praktika e aplikimit për pasaportë pranë kompanisë ALEAT të shtetasve Sh.B dhe Ilir Pashaj, t’i kthehet kompanisë që aktualisht administron këto të dhëna;
Dokumentet e regjistrimit të pasurisë nr. ****, vol. ****, faqe ****, ZK. ****, ****; Kontrata e shitblerjes nr. **** rep, nr. **** kol, datë 20.09.2012, me palë A.D dhe Sh.B, t’i kthehen ASHK vendore Elbasan. Telefon i markës Samsung, sekuestruar nga shtetasi B.T, t’i kthehet këtij shtetasi.
Në bazë të nenit 224 të K.Pr.Penale, CD të përftuara sipas akteve përkatëse gjatë hetimeve paraprake mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor.
Bazuar në nenin 393 të Kodit të Procedurës Penale, shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak, në shumën **** lekë dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkangjitur i ngarkohen të pandehurit.
Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.