Rama merr sërish në mbrojtje Erion Veliajn: Kjo që ndodhi kalon çdo limit

Gjatë ceremonisë për 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, kryeministri Edi Rama komentoi sërish situatën e krijuar pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Rama theksoi se mungesa e Veliajt në këtë ngjarje ishte e papritur, duke shtuar se “kontrata” e tij si kryebashkiak ishte ndërprerë nga një individ të cilin ai nuk e njeh.

Rama u shpreh se, pavarësisht se nuk është detyra e tij të shpallë nëse Veliaj është i pafajshëm apo fajtor, ai theksoi se prezumimi i pafajësisë është një detyrim, sidomos për ata që e kanë zgjedhur Veliajn si kryebashkiak.

“Ne kemi zgjedhur të mos komentojmë, duke besuar se koha dhe reflektimi i institucioneve do të bëjnë detyrën e tyre pa nevojën për të ndërhyrë,” tha Rama.

Rama theksoi se nuk kishte akuzë për korrupsion ndaj Veliajt, por vetëm një hetim për jetën e tij, i bazuar në letra anonime.

“Kjo është një fushatë lincimi, dhe nuk është normale që të ndodhin këto veprime tre muaj para zgjedhjeve,” shtoi ai.

Pjesë nga fjala e tij:

Sot mungon kryetari i Bashkisë, i zgjedhur nga mijëra qyetarë. Kontrata e Veliajt është ndërprerë nga një njeri që nuk e njoh me fytyrë. Nuk e di kush si ky njeri mund të marrë njeriun e zgjedhur dhe ta mbyllë në paraburgim. Unë nuk e di dhe nuk më takon mua të them nëse Erioni është i pafajshëm, apo fajtor.

Por prezumimi i pafajësisë është një detyrim ndaj të gjithë atyre që e kanë zgjedhur, që të bëhej puna e kontratës me zgjedhësit, por edhe për të përcaktuar fajësinë apo pafajësinë e tij.

Ne kemi zgjedhur të mos komentojmë, sepse i kemi konsideruar lajthitje, duke qenë të bindur se koha dhe reflektimi i inistucioneve të reja, dhje do bëjnë detyrën pa qenë e nevojshme që ne të flasim. Por ajo çka ka ndodhur dje i ka kaluar çdo limit, në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe me domosdoshmërinë që njeriu i zgjedhur të ushtrojë detyrën, ndërkohë që hetohet.

Paraburgimi i personave të zgjedhur është një fenomen me të cilin ballafaqohemi ne këtë. E përsëris që ne nuk kemi asnjë diskutim për vendoshmerinë për ta vazhduar këtë luftë, luftën kundër korruopsionin.

Sot nuk kemi akuzë për korrupsion, por hetim për një person, jeta e një njeriu dhe e familjes së tij, si rezultat i letrave anonime të depozituara në shkurt të vitit të kaluar. E kam të pamundur që po bëhet një lincim publik dhe pastaj bëhet një heqje nga shpatullat e kokës së kryeqytetit, tre muaj para zgjedhjeve. Nuk është normale, pasi nuk ka një rrezik shoqëror, nuk ka urgjencë, ka një hetim për jetën e një njeriu.

Kjo që po ndodh është jashtë shinave të Kushtetutës. Sot vetëm një idjot mund të na thotë që ne kontrollojmë drejtësinë. Por jemi të bindur që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë dhe që askush të mos jetë mbi ligjin. Sot konstatoj që jemi në një sfidë e re. Prezumimi i pafajësisë nuk është një fjalë sa për të larë gojën. Jemi në një situatë mjaft delikate.


Shtuar 11.02.2025 20:33

Tags: ,