Fshatrat Pojan dhe Orman, në Bashkinë Maliq, po përballen me një situatë alarmante për shkak të derdhjes së ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane në lumin Devoll.
Kjo ka shkaktuar shqetësime të mëdha tek banorët, të cilët theksojnë ndikimin negativ që ka kjo ndotje për mjedisin dhe shëndetin e tyre.
Banorët thonë se mbetjet hidhen pa kriter në shtatin e lumit, si pasojë e papërgjegjshmërisë së vetë banorëve të zonës, por edhe nga neglizhenca institucionale.
Ata i bëjnë thirrje autoriteteve lokale që të marrin masa më drastike, për të ndaluar hedhjen e plehrave në lumin Devoll.
Lumi Devoll, e ka patur tepër të theksuar problematiken e ndotjes në zona të caktuara. Ne e kemi ngritur edhe më herët këtë shqetësim, duke vëzhguar në terren jo vetëm në bashkinë e Maliqit, por edhe atë të Devollit.
Në rastin e fundit, Bashkia Maliq ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura nga banorët dhe ka deklaruar se zona është pastruar dy javë më parë.
Sipas autoriteteve lokale, pastrimi është bërë në mënyrë të rregullt dhe është një proces i vazhdueshëm, që synon pastrimin e shtatit të lumit dhe heqjen e mbetjeve të tjera në ujë.