Shqipëria renditet ndër dy vendet që udhëheqin procesin e integrimit europian në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, sipas një studimi analitik të Parlamentit Europian, përparimi i shpejtë në negociata nuk nënkupton se vendi i ka zgjidhur problemet e tij strukturore.
Studimi, i cili shqyrton rrugën e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE, vë në dukje rezultatet në reformën në drejtësi dhe përafrimin me politikat europiane. Njëkohësisht, ai identifikon sfida në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në pavarësinë institucionale dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.
Të lidhura
None found
Angazhimi i vazhdueshëm politik për integrimin dhe ritmi i negociatave vlerësohen pozitivisht në analizën për zgjerimin e BE-së. Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat teknike deri në fund të vitit 2027, por dokumenti e cilëson këtë një objektiv ambicioz, që kërkon vazhdimin e reformave dhe rezultate të prekshme nga zbatimi i tyre.
Negociatat e anëtarësimit nisën në korrik 2022. Gjatë viteve 2024-2025, Shqipëria hapi të gjashtë grupkapitujt negociues, ndërsa në maj 2026 përmbushi kriteret e ndërmjetme për Grupkapitullin 1, “Themeloret”. Kjo krijoi mundësinë për përcaktimin e kritereve të mbylljes së kapitujve. Në korrik 2026 u mbyllën përkohësisht tre kapitujt e parë.
Reforma në drejtësi e vitit 2016, përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, paraqitet si një prej arritjeve kryesore të Shqipërisë. Edhe pse zbatimi i saj solli vështirësi dhe probleme institucionale, institucionet europiane e kanë vlerësuar si shprehje të vullnetit politik për të trajtuar mangësitë strukturore të sistemit të drejtësisë.
Dokumenti ndalet edhe te puna e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit për hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe të personave të ekspozuar politikisht. Ecuria e këtyre institucioneve, së bashku me pavarësinë e SPAK, konsiderohet zhvillim pozitiv.
BE-ja kërkon, sidoqoftë, që këto rezultate të konsolidohen, sidomos përmes dënimeve përfundimtare në çështjet e profilit të lartë. Pyetje ngrihen edhe për efektivitetin e sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të siguruara nga veprimtaria kriminale, si dhe për mundësinë e ndikimit politik te institucionet e tjera ligjzbatuese.
Në vlerësimin e funksionimit të demokracisë, studimi veçon polarizimin e thellë politik, raportet konfliktuale mes palëve dhe përqendrimin e pushtetit. Këto zhvillime shtojnë shqetësimet për mekanizmat e kontrollit dhe balancës, pluralizmin politik dhe pavarësinë e medias.
Edhe administrata publike mbetet një fushë ku nevojiten përmirësime. Pavarësisht ndryshimeve në ligj dhe ngritjes së mekanizmave të rinj për administrimin e burimeve njerëzore, institucionet europiane konstatojnë kapacitete të pamjaftueshme, politizim, qarkullim të shpeshtë të punonjësve dhe zbatim të paqëndrueshëm të meritokracisë.
Për këtë arsye, vlerësimi kërkon forcimin e rekrutimit sipas meritës, kufizimin e ndërhyrjeve politike në emërimet e nivelit të lartë dhe bashkërendim më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për procesin e integrimit.
Në politikën e jashtme, Shqipëria merr vlerësim për shkallën e lartë të përputhjes me qëndrimet e BE-së. Kjo përfshin edhe sanksionet dhe masat kufizuese ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
Anëtarësia në NATO dhe orientimi i pandryshuar euroatlantik shihen si faktorë që rrisin besueshmërinë e vendit si partner strategjik i Bashkimit Europian.
Studimi e konsideron përparësi edhe mbështetjen e qytetarëve për anëtarësimin në BE. Sondazhet e Balkan Barometer, sipas të dhënave të cituara në analizë, kanë treguar vazhdimisht mbështetje mbi 80-90 për qind për integrimin europian të Shqipërisë.
Kjo mbështetje, megjithatë, nuk do të thotë se qytetarët janë të kënaqur me qeverisjen, transparencën dhe cilësinë e demokracisë, thekson dokumenti.
Si shembull përmenden protestat e zhvilluara në Tiranë në qershor 2026 kundër një projekti zhvillimor në zonën e Zvërnecit, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Fillimisht ato u nxitën nga shqetësimet për transparencën, standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës publike; më pas u zgjeruan në kërkesa për qeverisje të mirë dhe respektim të parimeve demokratike.
Në planin ekonomik, afrimi i Shqipërisë me tregun europian ka ecur përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, bashkëpunimit në rajon dhe pjesëmarrjes në programe të ndryshme të BE-së.
Pjesëmarrja në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) është një tjetër hap i rëndësishëm. Ajo synon të zvogëlojë kostot dhe t’i bëjë më të lehta transfertat ndërkufitare në euro për qytetarët dhe bizneset.
Shqipëria përfiton gjithashtu nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit ndihma financiare e BE-së kushtëzohet me kryerjen e reformave konkrete. Sipas analizës, vendi ka realizuar 21 nga 41 reformat e planifikuara dhe ka marrë pak më shumë se 200 milionë euro nga një fond i mundshëm prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare.
Në përmbyllje, studimi njeh përparimin e rëndësishëm të Shqipërisë drejt BE-së, por paralajmëron se shpejtësia e negociatave nuk duhet barazuar me plotësimin në praktikë të standardeve të anëtarësimit.
Nëse synon t’i mbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027, Shqipërisë i duhen rezultate të qëndrueshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po aq të rëndësishme mbeten forcimi i institucioneve të pavarura, përmirësimi i administratës publike dhe garantimi i një mjedisi demokratik ku media dhe shoqëria civile të jenë të pavarura.
Sipas mesazhit përfundimtar të dokumentit, një perspektivë e besueshme anëtarësimi në BE mund t’u japë shtysë reformave. Anëtarësimi, megjithatë, do të përcaktohet nga aftësia e Shqipërisë për t’i zbatuar ato dhe për të siguruar funksionim të qëndrueshëm të institucioneve.








