Drejtoresha e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka dhënë detajet e aksionit policor të koduar “USDT-1”.
Ajo raportoi se ky operacion, kishte objektiv dokumentimin me prova ligjore dhe goditjen e këmbimit të kundërligjshëm të parave në monedha virtuale dhe anasjelltas.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në total 17 persona, të cilët akuzohen për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Më konkretisht, në pranga janë vënë shtetasit: G. S., R. B., A. K., L. L., M. S., A. R., A. A., S. Gj., A. Gj., D. D., T. A., F. S., P. V., D. V., E. S., J. L. dhe A. B..
Ndërkohë, është proceduar penalisht dhe i është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje shtetasit V. L., i akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, bëhet me dije se janë shpallur në kërkim dhe dy shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, me shtetësi të Maqedonisë së Veriut.
Policia raportoi se gjatë periudhës hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës është mundësuar dokumentimi me prova i kësaj veprimtarie kriminale që kryhej individualisht, duke përdorur si mjete komunikimi rrjetet sociale, si dhe nëpërmjet disa subjekteve ekonomike, në Tiranë dhe në Shkodër.
“Si rezultat i hetimeve është provuar se 18 shtetasit e arrestuar, individualisht ose me cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, këmbenin monedha virtuale ne para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme për kryerjen e kësaj veprimtarie. Nga kontrollet e kryera në 32 ambiente, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe rreth 750 mijë euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme”, – deklaroi drejtoresha e Krimit Kibernetik.
Policia raportoi më tej se në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese nëpërmjet grupeve kriminale.