Këtë të hënë, mijëra studentë iu drejtuan për herë të parë auditorëve. Por, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit është vënë re një tkurrje e numrit të studentëve në Universitetet e vendit tonë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga vetë Portali i Aplikimit Universitar, deri ditën e premte (4 tetor), 8,775 mijë kuota nga Universitetet publike ishin të lira nga 19,212 të miratuara në total.
Sipas të njëjtit portal, rezulton se në fund të fazës së dytë të regjistrimeve ka ende mijëra kuota të paplotësuara, teksa ishin regjistruar gjithsej 10,437 studentë.
Kjo rënie drastike e numrit të maturantëve, të cilët nuk kanë preferuar që të vijojnë studimet e tyre, ka sjellë dhe rrezikun për mbylljen e disa degëve.
Shkenca Natyre Mjedisore, rezulton dega më pak e pëlqyer në Universitetin e Tiranës, ku vetëm 2 maturantë kanë vendosur që të regjistrohen këtë vit.
Më pas, dega tjetër e cila është më pak e pëlqyer është dhe ajo e Fizikës ku vetëm 5 studentë janë regjistruar.
Gjithashtu edhe në Kimi ka pasur një numër të vogël regjistrimesh, me 8 studentë.
Nga ana tjetër, një nga degët më të preferuara në Universitetin e Tiranës, rezulton Informatika Ekonomike, ku vetëm 4 kuota kanë mbetur të lira nga 240 gjithsej.
Të kërkuara vijojnë të jenë edhe inxhinieritë informatike tek Universiteti Politeknik, sikurse arkitektura.
Degët arkitekt, urbanist dhe interieri/dizajn nuk kanë asnjë vend të lirë në këtë fazë regjistrimesh.
Ndërsa, inxhinieria e burimeve minerare, ajo gjeologjike dhe gjeomjedisi janë tre degët me më pak regjistrime këtë vit në Universitetin Politeknik.
Ndërkohë, Universiteti Bujqësor, është zgjedhur deri tani nga 638 studentë. Në këtë Universitet, degët më të pëlqyera janë; menaxhim agrobiznesi dhe menaxhim turizmi rural.
Ndërsa, në degën inxhinieri agroushqimore ka vetëm 1 të regjistruar. Edhe zooteknia dhe siguria e produkteve blegtorale kanë vetëm 2 regjistrime ndërsa inxhinieria pyjore 5 studentë të regjistruar.
Këtë vit sytë e maturantëve kanë qenë të drejtuara nga degët e mjekësisë. Referuar të dhënave të U-Albania, këtë vit Universiteti i Mjekësisë, ka vetëm 146 kuota të lira nga 1,624 që kishte gjithsej.
Mjekësia e përgjithshme, farmacia dhe stomatologjia nuk kanë asnjë vend të lirë.