Edi Paloka: Me Ramën nuk ka rrugë tjetër veç përplasjes dhe forcës

Pak orë para mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, deputeti demokrat Edi Paloka, ka deklaruar dhe dy ditë para mbledhjes së këshillit kombëtar demokrat, se me Edi Ramën nuk ka rrugë tjetër veç përplasjes dhe forcës.

Teksa ishte i ftuar në A2CNN, në krye të agjendës opozitare është krijimi i kushteve që shqiptarët të votojnë të lirë, por nën një qeveri teknike dhe jo me Edi Ramën.

“Për ne si Parti Demokratike dhe opozitë, nuk mund të ketë objektiv tjetër të shpejtë gjatë këtyre ditëve, madje brenda vjeshtës duhet të finalizojmë objektivat për t’u dhënë shqiptarëve të votojnë lirisht dhe kjo si hap të parë ka zhvillimin e zgjedhjeve nën një qeveri teknike jo nën Edi Ramën.

Rama ka konfirmuar se nuk ka ndërmend t’u lejojë shqiptarëve të votojnë lirisht, jo vetëm atë që bëri për Kodin Zgjedhor. Sot mblidhet Këshilli Kombëtar për rrugën që do ndjekim, për të arritur këto qëllime. Për mua nuk ka rrugë tjetër veç përplasjes dhe forcës. Jemi në diktaturë, Kërkojmë gjënë më legjitime për shqiptarët për të votuar të lirë dhe përderisa kjo nuk lejohet nga diktatori na lejohet të përdorim çdo formë, me Ramën vetëm forca është mënyra për t’u marrë vesh”, shprehet Paloka.

Paloka shkon edhe më tej kur thotë se largimi i Ramës nuk ndodh pa destabilizim.

Nuk mund të ketë forma demokratike në përballje me diktaturën. Ose duhet ta destabilizojmë dhe e kam thënë e stërthënë këto ditë. Këtu diktatura rrëzohet vetëm kur Rama të ikë nga frika me forcë dhe kjo nuk ndodh pa u destabilizuar vendi. Por ose duhet të pranojmë diktaturën e të ulim kokën ose do të reagojmë. Me një njeri si Rama që nuk njeh ligje kushtetutë, e përdor drejtësinë me keq se sigurimin e shtetit dikur Enver Hoxha”, tha Paloka.

Partia Demokratike, do të mbledhë pasditen e sotme kryesinë për caktimin e drejtuesve të qarqeve.

Gjithashtu, Paloka tha se kjo është kompetencë e kryetarit të Partisë, ndërsa vetë do të jetë në Tiranë.

“Mendohet që edhe kryetari ka bërë zgjedhjet e duhura. Unë vetë do të jem në Tiranë. Tirana do të ketë ndarje tjetër nga qarqet e tjera”.

Deputeti demokrat, komentoi edhe vendosjen e këmbëve në tryezën e parlamentit gjatë miratimit të Elisa Spiropalit në krye të Kuvendit.

Sipas tij, ai është një akt rebelues ndaj atij institucioni që ka humbur funksionin e vet.

“Ai insitutcion nuk është një godinë që janë ca tavolina e karrige institucioni, ka një funksion dhe ai parlament që nuk mund të quhet parlament, ka humbur të gjitha funksionet e tij. Ai akt është bërë qëllimisht për të treguar jo vetëm mosvlerësimin por ndaj atyre që drejtojnë vendin prej 12 vitesh, ndaj asaj tufe që e kanë çuar vendin në këtë pikë. Është akti më i vogël rebelues që duhet bërë ndaj atij parlamenti. Në 12 vite jemi përpjekur të bëjmë detyrën tonë si deputetë e opozitarë dhe asgjë nuk ka funksionuar. Ai parlament nuk e meriton emrin parlament, por ai ka qenë një nga aktet rebeluese dhe e kam thënë që atij parlamenti i duhet vënë flaka”.


Shtuar 4.09.2024 14:03