Mazhoranca në Këshillin e Legjislacionit, ka rënë dakord më propozimin e PD që projekt-vendimi për mandatin e Olta Xhaçkës, të kalojë për shqyrtim në seancën e ardhshme plenare.
Duke ju referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetja e PS, Klotilda Bushka bëri të ditur se Partia Socialiste, është tërhequr nga kërkimi i opinionit në Komisionin e Venecias, duke ja lënë kështu vendimin seancës së ardhshme plenare, parimisht atë të dy shtatorit.
“Nisur nga arsyetimi dhe duke qenë se në vendimin e vet GJK ka urdhëruar Kuvendin të dërgojë mocionin përkatës, ky këshill duhet t’i propozojë kryetares së Kuvendit ta përfshijë këtë projekt-vendim në rendin e seancës më të afërt.
Në lidhje me këtë çështje ne mendojmë që arsyetim i vendimit është vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ne biem dakord me konkluzionin tuaj, por mendojmë se nuk ka nevojë për një raport të arsyetuar, përveçse këtë rekomandim për kryetaren e Kuvendit, e cila më pas vepron duke dërguar projekt vendimin. Arsyetimi jonë është vendimi i GJK.
Thënë këtë, sa i takon konkluzioni, propozimi ynë është që projekt-vendimi i Gjykatës Kushtetuese ti kalohet seancës plenare më të afërt në Kuvend”, deklaroi Bushka.